Zgjedhja e presidentit – shansi i fundit
Shkruan: Bajram Gecaj
Albin Kurti ka arritur ta mbështes opozitën për muri si askush më parë. Një fuqi elektorale të krahasueshme e kishte vetëm Dr. Ibrahim Rugova, por dallimi është thelbësor. Presidenti Rugova nuk ishte as populist dhe as manipulant politik. Ai fuqinë e tij e përdori për të avancuar proceset shtetformuese dhe demokratike, jo për të shkatërruar alternativën politike dhe për ta nënshtruar sistemin.
Për ta realizuar plotësisht vizionin e tij të pushtetit “krejt e [zh]drejt,” Albin Kurtit i mungon vetëm edhe një hallkë. Zgjedhja e presidentit/es është arma e fundit që i nevojitet për të konsoliduar pushtetin absolut, për të zhveshur institucionet nga pavarësia dhe për ta finalizuar kapjen e shtetit. Pikërisht këtu opozita nuk guxon të dorëzohet.
Nuk ka rëndësi nëse shkojmë edhe dhjetë herë në zgjedhje dhe as nëse Kurti fiton përsëri. Rëndësi ka që të mos bëhemi bashkëfajtorë të nënshtrimit tonë. Apo siç thotë populli, “mos ta bëjmë ispatë me dorën tonë.” Të mos ia japim vullnetarisht mundësinë që të na shkelë dhe të na poshtërojë si individë, si shoqëri dhe si shtet.
Vjosa Osmanin e kemi provuar. Përsëritja e të njëjtit gabim do të ishte dëshmi e mungesës së arsyes politike. Madje, gjithnjë e më shumë duket se edhe për vetë Kurtin, Osmani është e “shterur.” Atij i duhet një president që nuk ia trazon ujërat fare, që e kryen rolin ceremonial dhe nuk ia pengon qeverisjen. Në këtë kuptim, Osmani i ka shkuar bukur shumë për shtati. Por egoja e saj, sado që vetëm sipërfaqësisht, është përplasur herë pas here me atë të Kurtit, gjë që ai nuk e toleron. Rreth tij ka vend vetëm për servilë 100%.
Prandaj, Osmani ndoshta edhe mund të jetë opsion, por vetëm nëse arrin t’i sigurojë vetë votat shtesë. Në të kundërtën, Kurti do të bëjë gjithçka për të imponuar një figurë nga radhët e tij, si Konjufca, apo edhe ndonjë individ “të urtë” dhe “neutral,” për të cilin kulmi i ambicies do të ishte kolltuku i presidencës, jo balancimi i pushtetit. Edhe nëse një president i tillë do të përpiqej të kundërshtonte, roli i presidentit në sistemin tonë politik është i kufizuar dhe nuk i shkakton qeverisë asnjë dhimbje serioze të kokës.
Në përmbledhje, partitë opozitare nuk guxojnë t’ia dorëzojnë me duart e tyre pushtetin absolut një njeriu të vetëm. Zgjedhjet në prill janë opsioni i vetëm demokratik dhe politikisht i ndershëm. Çdo alternativë tjetër është kapitullim.

(Autori është zyrtar i lartë i LDK-së)



