Zgjedhje për zgjidhje, apo zgjedhje për lidhje!

01 korrik 2019 | 13:27

Ylber Çitaku

Tema bazë e këtij shkrimi dhe analize janë zgjedhjet e brendshme në PDK, por fillimisht dua të bëjë një parantezë për zgjedhjet në përgjithësi, për zgjedhjet në Shqipëri dhe për zgjedhjet e brendshme partiake në LDK, në veçanti.

Në vendet me demokraci të zhvilluar, zgjedhjet mbahen për ta respektuar ligjin, për t’i zgjedhur njerëzit e duhur, por edhe për të gjetur zgjidhje.

Me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve vendosen parime e kritere dhe miratohen dokumente që në thelb të përmbajtjes e kanë lirinë e mendimit dhe të shprehjes, mundësinë për të propozuar dhe për t’u zgjedhur, kritere këto të cilat në vendet me demokraci të mirëfilltë respektohen, me ç’rast zgjidhen individë e grupe që nuk kontestohen së paku për një periudhë të caktuar kohore…

Po në trojet shqiptare, ku të gjithë themi se e duam demokracinë, se e njohim dhe e respektojmë atë, për çfarë shërben mbajtja e zgjedhjeve?!

Zgjedhjet deklarativisht mbahen për t’i respektuar demokracinë, ligjin dhe kushtetutën, por në fakt po del se zgjedhjet mbahen për interesa personale e grupore, për të kënaqur ligjin dhe egot e individëve e të grupeve të caktuara pa programe e pa dokumente, ose me programe e dokumente pa mbështetje bazike në demokraci. E krijimi i paqartësive dhe situatave të mjegullta krijon hapësirë e mundësi për përfitime të individëve e të grupimeve të ngushta në kurriz të masave e qytetarëve.

Zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri

U bë e çfarë nuk u bë, u mbajtën protesta e demonstrata, humbën me miliona e miliona orë pune nëpër këto protesta, u dogjën mandatet e deputetëve me qëllimin e vetëm shtimin e presionit te Qeveria dhe për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar. Qeveria dhe kryeministri Rama me konsekuencë e këmbëngulësi ndoqën rrugën e mbajtjes së zgjedhjeve sipas dekretit të Presidentit Meta, zgjedhje këto për faktin që janë një partiake nuk mund të vlerësohen si pluraliste e demokratike.

Një fjalë e urtë popullore thotë “kur dy palë shtyhen, fiton i treti”. Nuk di një rast të vetëm deri sot kur këtë thënie, jo vetëm që e demanton, por katërçipërisht e përmbys presidenti Ilir Meta, i cili bëri e çfarë nuk bëri për t’u dalë në ndihmë z. Basha dhe znj. Kryemadhi (që është gruaja e presidentit), dekretoi 30 qershorin si datë të mbajtjes së zgjedhjeve, pastaj të njëjtin dekret e zhdekretoi; bëri e çfarë nuk bëri, vetëm e vetëm që ta involvojë faktorin ndërkombëtar në këtë proces, bëri e çfarë nuk bëri… por, në fund të fundit, si president i vendit nuk mund të jetë individ që bën çfarë t’i teket, prandaj doli humbësi më i madh i gjithë kësaj katrahure, e rrjedhimisht bashkë me të doli humbëse edhe Shqipëria, president i së cilës është.

Bazuar në thënien tjetër popullore “I mbyturi të mbyt”, z. Basha, duke e parë popullaritetin e paarritshëm të kryeministrit Rama, ndoqi një rrugë qorre në të cilën “mbyti” të gjithë partnerët e tij opozitarë. Sepse, në Shqipëri zgjedhjet zyrtarisht u mbajtën, por në fakt këtu kemi të bëjmë vetëm me votim, pasi qytetari nuk pati çfarë të zgjedhë, nuk pati më shumë opsione, nuk pati pluralizëm.

Kurse në Kosovë…

Kurse në Kosovë disa nga partitë politike po i mbajnë zgjedhjet e brendshme partiake, dy partitë kryesore të vendit, PDK dhe LDK (në fakt këto janë edhe partitë e vetme në Kosovë që u japin në një masë aromë zgjedhjeve demokratike).

Përderisa PDK-ja këtë proces pothuajse e ka çuar në fazën finale (ka mbetur të zgjidhet edhe Kryesia e partisë dhe kryesitë e degëve, nga të cilat do të dalin edhe disa grupe punuese e profesionale), LDK-ja është në një fazë goxha të hershme të përmbylljes së këtij procesi.

LDK-ja…

Ajo po ballafaqohet me një “garë”, e cila në momente të caktuara e humb kuptimin e zgjedhjeve të brendshme partiake, ngaqë grupe të caktuara “të fortit” mbyllin dyert e kuvendeve nëpër nëndegë e degë, kurse individë e grupe tjera që ndihen të anatemuar e të injoruara reagojnë në mënyrë impulsive.

Lidershipi i LDK-së u gjet krejt i papërgatitur për këto situata, e si rezultat i kësaj merr vendime pa i analizuar dhe pa i trajtuar ato, rast konkret është largimi për kryetar dege i Arban Abrashit, i cili pas vetes ka lënë gjurmë, nëse për asgjë tjetër atëherë së paku për 40 000 votat në garën për të parin e kryeqytetit në vitin 2017, e sigurisht që vendimi në pako edhe për z. Borovci, kryetar i Degës përkatëse, lë hapësirë për interpretime, ngase ai është një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, por edhe aktivist i devotshëm brenda partisë, prandaj shtrohet pyetja logjike nëse lidershipi i LDK-së e mori vendimin për rastin Abrashi & Borovci me qëllim të ndëshkimit të të njëjtëve, apo këtë vendim u përpoq ta përdorë si sinjal presioni e kërcënimi me qëllim “disiplinimin” e tjerëve.

Secili vëzhgues neutral i këtij procesi vëren anomali në këto raste, por edhe në rastet e ngjashme,  anomali e kësaj situate është fakti që ka pasur edhe raste të njëjta nëpër nëndegë tjera, por që lidershipi i LDK-së nuk ka ndërmarrë vendime ndëshkuese, e rast konkret është ai i Mitrovicës, ky rast ndoshta ishte edhe më i rëndë se sa ai në Mat, z. Avdullah Hoti kaloi pa pasoja, edhe për faktin se ai është i preferuar i liderit të LDK-së, z. Mustafa.

Kurse anomalia e përbashkët e të gjitha këtyre rasteve si dhe e rasteve tjera është se njerëz me vlera krejt periferike në LDK kanë grabitur hapësirë për t’i “trajtuar” z. Abrashi, z. Borovci, z. Hoti e deri edhe z. Veliu për rastin e Podujevës sikur edhe rastet tjera të ngjashme.

PDK-ja…

Si anëtar i KD-së më takon më shumë të merrem me procesin zgjedhor brenda PDK-së, prandaj mund të them se kjo parti e ka afruar procesin e brendshëm zgjedhor mu të vija e “finishit”, e deri në këtë pikë u mbajtën mijëra takime përgatitore, qindra kuvende të nëndegëve dhe dhjetëra kuvende të degëve, deri te Konventa Zgjedhore e 16 qershorit, sikur dhe ajo festive një ditë më pas.

Kur të gjithë po prisnim vendosjen e pikës si shenjë pikësimi për të shënjuar përfundimin dhe kompletimin e një procesi madhështor zgjedhor, në këtë fazë dalin në pah disa elemente që mund ta dëmtojnë rëndë procesin, por edhe vetë PDK-në, ngase jeta dhe historia njeh dhe di raste që individë dhe grupe të caktuara i kanë humbur “betejat”, edhe pse kanë prekur vijën e “finishit”, por nuk kanë arritur ta kalojnë atë.

Jam i bindur se kryetari i PDK-së, z. Veseli, me qëllimin më të mirë për PDK-në dhe vendin e ka iniciuar çështjen e pastërtisë së individëve, raste këto që individë të caktuar me “nishan” nga sistemi i drejtësisë, andaj kriteret lidhur me elementin shumë të rëndësishëm, e që është “pastërtia” e individit, duhet të jenë synim i secilit qytetar të Republikës së Kosovës, e në veçanti i liderëve të partive politike.

Më duhet ta pranoj faktin, edhe pse jam pjesë e strukturave të PDK-së, por nuk kam qenë pjesë aktive e këtij procesi zgjedhor, andaj edhe mund të gaboj, por nëse me kohë ka pasur një dokument ose porosi verbale se individët që kanë aktakuza nuk mund të zgjidhen, atëherë të njëjtëve është dashur më kohë t’u pamundësohet gara për t’u zgjedhur, e nëse me kohë nuk ka pasur një dokument ose porosi verbale se individët të cilët kanë aktakuza nuk mund të jenë pjesë e strukturave të PDK-së, atëherë kërkesa për largimin e individëve të tillë nga pozitat në të cilat janë zgjedhur në këtë proces zgjedhor, ose në proceset e mëhershme zgjedhore, mendoj se është e nxituar dhe jo e drejtë, kurse sa i përket largimit të të emëruarve është veprim i qëlluar dhe legjitim.

Më 16 qershor 2019 është mbajtur Konventa Zgjedhore e PDK-së, atë ditë kur, ndër të tjera, është miratuar edhe Statuti i ri PDK-së si dokumenti më i lartë i partisë, por fatkeqësisht i njëjti lë hapësirë për dykuptimësi dhe për interpretim të rasteve të caktuara.

Statuti me dykuptimësi dhe paqartësi…

Po e marr si shembull anëtarin e KD-së të partisë, i cili në vijën hierarkike është në pozitë më të ulët se kryetari i Degës apo deputeti, por neni 43 i Statutit të PDK-së, konkretisht pika 2 e këtij neni taksativisht e përshkruan rastin e humbjes së statusit si anëtar i KD-së nëse ai dënohet me vendim të formës së prerë në kohëzgjatje prej më shumë se një viti burgim.

Kurse neni 27 i përshkruan detyrat dhe përgjegjësitë e kryetarit të Degës, e ky nen ka disa nënpika në të cilat përshkruhen rastet e ndërprerjes së parakohshme të mandatit të kryetarit të Degës, e vlen të ceket që në asnjërën pikë nuk ceket largimi ose shkarkimi i të njëjtëve në rast se kanë aktakuzë, përveç nëse nuk merret si e mirëqenë pika 2-b) e këtij neni, në të cilin thuhet “për shkak të shkeljes së normave të Statutit”, e nëse merren si norma integriteti dhe standardet, ato janë të përshkruara në nenin 78, pika 2, ku ndër të tjera thuhet se kandidatët e propozuar për t’u zgjedhur ose emëruar e nënshkruajnë një deklaratë të miratuar nga Kryesia e partisë (kurse një deklaratë e tillë nuk është miratuar ende nga Kryesia e Partisë).

Në asnjë pikë të Statuti të Partisë Demokratike nuk specifikohet nëse afektohen këto raste sikur edhe shumë raste tjera që paraqiten nëpër pika të ndryshme të këtij dokumenti në mënyrë retroaktive.

Është normale të shtrohen pyetje e dilema lidhur me rastet konkrete të të zgjedhurve, qofshin ata kryetarë të degëve apo deputetë, edhe pse standardet e vendosura nga kryetari Veseli janë të pranueshme për shumicën absolute të anëtarëve të strukturave të PDK-së, sikur që edhe shumica absolute e këtyre anëtarëve “lexon” midis rreshtave se këtu kemi të bëjmë me një skenar të përgatitur nga njerëz që në fakt mund të mos kenë aktakuza, por që pesha e tyre në njërin nga tre përbërësit kryesorë të bazamentit të PDK-së (vota) është krejt simbolike, për të mos thënë se është edhe më e vogël se 1/100 e kryetarëve të degëve apo deputetëve, e që në rastin konkret janë të atakuar.

A po shërben pësimi si mësim?

Është për keqardhje se si PDK-ja po rrëshqet me apo pa vetëdije të lidershipit të deritanishëm në drejtim të një çarjeje. Një thënie popullore thotë nëse nuk merr mësim nga gabimet, ato të përsëriten, e siç po shihet lidershipi i PDK-së nuk ka marrë mësim nga “çarjet” e kaluara, e me një “çarje” të ngjashme u krijua Nisma Socialdemokrate, sikur që edhe me pakënaqësitë e individëve brenda PDK-së është krijuar “brumi” i LV-së, e si përbërës kryesor ky “brum” i ka ish-anëtarët e strukturave nga PDK-ja.

A nuk do të kishte qenë më mirë që hartuesit e Statutit të Partisë Demokratike të Kosovës të linin mundësi e hapësirë edhe për mendimin, qëndrimin dhe veprimin ndryshe nëpërmjet lejimit dhe legjitimimit të fraksioneve brenda partisë?!

Në situatën e krijuar, individë të caktuar me goxha ndikim në PDK, por me mungesa thelbësore të tre përbërësve kryesorë të bazamentit të PDK-së (bagazhi kombëtar, intelektual dhe vota) koordinohen për të dalë me radhë në mbështetje të kryetarit të PDK-së, edhe pse të njëjtit kuptohen qartë se nuk e kanë bërë as analizën elementare të situatës, e të tillët fatkeqësisht në shoqërinë tonë në rrafshin personal po avancojnë shumë, pa menduar për pasojat e tërësisë.

Jam i bindur që kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës nuk ka nevojë të ketë afër individë të tillë, e aq më pak për këshillat dhe instruksionet e tyre, rrjedhimisht besoj në vizionin e kryetarit Veseli që situatës së krijuar t’i japë rrugëzgjidhje.

Të gjithë ata që marrin kurajën të flasin për këta individë me “nishan” duhet ta kenë minimumin e korrektësisë e të guximit dhe t’i bëjnë pyetje vetes, “përse unë nuk e kam një ‘nishan’ të tillë?”.

Të “kryqëzuarit” me “nishan”

Kryetari Veseli dhe të “kryqëzuarit” me “nishan” gjatë jetës së tyre janë gjendur para sfidave shumë më të mëdha se kjo e sotmja. Ata si shokë, miq e bashkëveprimtarë kanë gjetur rrugëzgjidhje edhe për situatat shumë më delikate e që kanë pasur të bëjnë me vetë fatin e vendit dhe të popullit, andaj unë si njëri nga anëtarët e KD të PDK-së u bëj thirrje që të uleni e të bisedoni dhe të gjeni rrugëzgjidhje, në të kundërtën “mbështetësit” e cilësdo nga palët fërkojnë duart dhe presin rastin për të marrë sa më shumë primat në majat e PDK-së, në mënyrë që nesër nëse u jepet mundësia ta kapin edhe primatin e të parit të PDK-së. Këto “mumje” të gjalla, të cilat suksesin dhe bagazhin e vetëm që e dinë dhe e njohin është vardisja, ka kohë që njerëzit me njërin nga tre përbërësit kryesorë të PDK-së (bagazhin kombëtar të anëtarëve) janë duke luftuar me metoda e strategji goxha të hapura, por të sofistikuara e perfide, gjithnjë duke i shfrytëzuar edhe dobësitë e anëtarëve në strukturat e PDK-së si njerëz me bagazh kombëtar, intelektual e numër të theksuar të votave, por që segmentin e djallëzive, thashethemeve, shpifjeve, intrigave dhe vardisjen nuk i njohin si veçori specifike të individëve të caktuar, rrjedhimisht nuk e kuptojnë dhe e kanë të vështirë t’i parandalojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur të dështuar…