
Zgjedhjet e 12 tetorit, KQZ: Janë deklaruar dy koalicione ndërsa pesë parti tërhiqen nga gara
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për partitë politike për të njoftuar se do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje përmes koalicionit në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Në njoftimin e bërë për media, gjatë periudhës 15 ditore (9 qershor – 23 qershor), në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike këto parti politike kanë njoftuar se do të kërkojnë certifikim përmes koalicionit: “Koalicija Vakat”, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV) dhe Koaliconi “SDU-NAŠA (NAŠA SDU)”, i përbërë nga partitë politike Socijaldemokratska Unija dhe Naša Inicijativa, i formuar vetëm për komunën e Prizrenit.
Gjithashtu, në të njëjtën kohë është përmbyllur edhe afati për partitë politike për deklarim të mospjesëmarrjes në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Gjatë kësaj periudhe, këto parti politike kanë njoftuar se nuk do të garojnë në zgjedhje: Organizata Balli Kombëtar Demokrat (OBKD); Partia Demokratike e Diasporës (PDD); Partia e Drejtësisë (PD); Kosovaki Nevi Romani Partia (KNRP) dhe Partia Balliste (PB).
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton subjektet politike (partitë politike, koalicionet, kandidatët e pavarur dhe iniciativat qytetare), të cilat duan të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, se afati i aplikimit për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve, do të fillojë më 26 qershor 2025. /Telegrafi/