
Zgjedhjet e 12 tetorit, Radoniqi fton mërgatën që të regjistrohet për votim me postë (video)
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi u është adresuar me një videomesazh të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për t’i informuar për të drejtën dhe mundësinë e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë vendit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka nisur më 23 korrik dhe do të zgjasë deri më 29 gusht. “Për të votuar nga jashtë Kosovës është e domosdoshme të regjistroheni brenda këtij afati përmes platformës së KQZ-së”, ka thënë Radoniqi.
Në emër të KQZ-së, Radoniqi ka ftuar të gjithë shtetasit e Kosovës që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor duke thënë se “pjesëmarrja e juaj në zgjedhje është e rëndësishme dhe vota juaj ndikon drejtpërdrejtë në të ardhmen e komunës tuaj”. Vetëm shtetasit e Kosovës që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025. Për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh.