Zgjedhjet e 7 qershorit: Mbi 59 mijë aplikime për regjistrim nga diaspora
Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë me dije për “Epokën e re” se deri më tani kanë pranuar mbi 59 mijë aplikime.
“Në bazë të të dhënave, nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani (e martë, 12 maj 2026, ora 10:00, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar 59 415 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 49 493, ndërsa 4 944 të tjera janë refuzuar dhe 4 957 janë në pritje për shqyrtim. Nga 49 493 aplikime të aprovuara, 11 782 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 1 325 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 36 386 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.
Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë: Gjermani (24 624), Zvicër (11 063), Francë (2 172), Suedi (2 058), Austri (1 508) dhe Mbretëri e Bashkuar (1 337), ShBA (1 115) dhe Itali (1 046).



