Zgjedhjet e nesërme, ish-krerët e UÇK-së votuan nga Haga
27 dhjetor 2025
| 18:16
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, kanë votuar gjatë javës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës.
Kjo është konfirmuar për Klankosova.tv nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se gjatë javës, shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara, në Hagë, kanë realizuar të drejtën kushtetuese dhe kanë votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Tash e pesë vjet atje po mbahen ish-katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.



