Zgjedhjet e reja do t’i dëmtonin të gjitha partitë

11 qershor 2025 | 08:44

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare nuk do të ishte zgjidhja optimale për situatën aktuale politike në vend, duke paralajmëruar pasoja për të gjitha partitë politike.

“Kam thënë prej fillimit se mund të mbetet mundësia e vetme, por absolutisht jo më e favorshme për qytetarët. Një palë të tjera zgjedhje nacionale, pa rezultat në formimin e institucioneve, do të reflektonin keq për të gjitha partitë”, ka thënë Kusari-Lila në “Interaktiv”, duke shtuar se qytetarët janë të lodhur nga proceset zgjedhore dhe se pjesëmarrja në votim mund të jetë shumë e ulët.

Deputetja e VV-së u shpreh se nuk është kundër nëse zgjedhjet mbesin si opsion i vetëm, por ato duhet të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet komunale më 12 tetor, për të shmangur ngarkesën e tepërt ndaj qytetarëve.

Kusari-Lila komentoi edhe bllokimin e Kuvendit, i cili pritet nesër (e mërkurë) të mbajë seancën e 30-të për konstituim, duke e quajtur situatën “pozicioni më i vështirë” në të cilin ndodhen deputetët.

Ajo theksoi se problemi nuk qëndron te emri i Albulena Haxhiut si kandidate për kryetare të Kuvendit, por te parimi që po shkelet nga partitë kundërshtare.

“Është precedent i keq që mund të krijojë përshtypjen se Haxhiu ishte vetëm një lëvizje taktike e Kurtit për të shtyrë partitë e tjera të pranonin një kandidat tjetër. Nuk është çështja e emrit – është çështje e parimit”, theksoi ajo.

Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e kryeparlamentarit, me dështime të njëpasnjëshme për formimin e komisionit për votim të fshehtë.

Kusari-Lila, që është edhe kryetare e Partisë Alternativa, konfirmoi se për momentin nuk kanë marrëveshje politike me LVV-në për zgjedhjet komunale. Ajo tregoi se nuk e ka ndërmend të kandidojë për kryetare të Gjakovës.

Në intervistë, ajo foli edhe për tërheqjen e mundshme nga politike.

“Nuk do të pensionohem në politikë. Nuk pres që të më heqin të tjerët. Është opsion që e mendoj gjithmonë”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Armend Muja nga LV-ja ka lënë fajtorë opozitën për gjithë…