Zgjedhjet lokale 2025, Prokuroria e Shtetit: 100 prokurorë dhe zyrtarë kujdestarë për mbrojtjen e votës

10 tetor 2025 | 16:22

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se ka përfunduar të gjitha përgatitjet për të garantuar mbarëvajtjen dhe integritetin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 12 tetor 2025, në Republikën e Kosovës.

Në një njoftim për opinionin publik është thënë se rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial do të jenë të angazhuar në të gjithë territorin e vendit për të monitoruar dhe reaguar ndaj çdo parregullsie të mundshme gjatë ditës së votimit, transmeton lajmi.net.

“Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor”, ka njoftuar Zyra e Prokurorit të Shtetit.

Prokuroria ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, subjektet politike, institucionet dhe organizatat për të raportuar çdo rast të mundshëm të manipulimit apo keqpërdorimit të votës.

Njoftimi i plotë:

Prokurori i Shtetit mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor

Prishtinë, 10 tetor 2025 –  Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 12 tetor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor

Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor,  me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale.

Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar vendimin e LDK-ë…