
Zgjedhjet lokale: Maqedonia e Veriut voton sot
Maqedonia e Veriut sot mban zgjedhjet lokale në 80 komunat dhe kryeqytetin, Shkupin.
Qytetarët do të zgjedhin kryetarët e komunave dhe anëtarët e Këshillave Komunalë, rreth një vit e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.
Të shtunën votuan një kategori personash: të sëmurët, ata që janë në arrest shtëpiak, të burgosurit dhe personat në azilet e të moshuarve.
Ndërkohë, në komunat ku nuk do të ketë fitues me mbi 50% të votave, shkohet në balotazh, i cili mbahet më 2 nëntor.
Të drejtë vote kanë mbi 1 milion e 800 mijë qytetarë, ndërsa 112 mijë janë të regjistruar në listën e veçantë zgjedhore si persona që jetojnë jashtë shtetit.
Këto janë zgjedhjet e tetë të pushtetit vendor që nga pavarësia e vendit, dhe qytetarët votojnë për 309 kandidatë për kryetarë komune dhe për 576 lista këshilltarësh.
Në garë marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 iniciativa qytetare ose kandidatura të pavarura.
Sipas sondazheve të kryera gjatë kësaj periudhe, rezultati në komunat me shumicë maqedonase pritet të jetë i parashikueshëm, ndërsa në komunat shqiptare situata është e ndryshme. VMRO-DPMNE kryeson në sondazhe me 26.7%, e ndjekur nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë me 11.1%, ndërsa forcë e tretë janë BDI dhe Aleanca Kombëtare për Integrim me 9.9%. Në fund vjen Koalicioni VLEN me 7.5%.
Ndërkohë, Lidhja Socialdemokrate është në një krizë të brendshme pasi humbi thellë në zgjedhjet e vitit 2024 dhe po përpiqet të ruajë ndikimin në disa komuna.
Në rreth 15 komuna me shumicë shqiptare, gara është e ashpër mes BDI-së dhe koalicionit opozitar Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), si dhe koalicionit VLEN, i cili aktualisht është partner në qeveri me VMRO-DPMNE-në. /Klankosova.tv