Zgjedhjet lokale pa institucione qendrore, Kryeziu alarmon se Kosova po hyn në një degradim institucional

03 qershor 2025 | 14:56

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se ekziston rreziku që vendi të mbetet pa asnjë nivel funksional qeverisës, edhe në nivelin lokal dhe në atë qendror, marrë parasysh që aktualisht Kosova s’ka institucione të reja dhe po pritet që të caktohet data e zgjedhjeve lokale.

“Qytetarët janë të lodhur dhe pothuajse tërësisht të dorëzuar përballë një klase politike të papërgjegjshme, e cila betejën për pushtet po e ndjek përmes bllokadës institucionale. Institucionet janë kthyer në treg pazari dhe në kauza të ngushta individuale e partiake – jo në zgjidhje dhe shërbim për qytetarët. Jemi gati një vit pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare dhe ende pa Kuvend e Qeveri funksionale. Ndërkohë, po afrohet koha e zgjedhjeve të rregullta lokale”, ka shkruar në “Facebook” Kryeziu.

Ai ka thënë se në këtë situatë, ekziston rreziku real që vendi të mbetet pa asnjë nivel funksional të qeverisjes – as në nivelin lokal, as në atë qendror.

“Kjo është një situatë alarmante dhe e papranueshme: një shtet i tëri në pauzë dhe jofunksional. Në vend të konsolidimit të institucioneve, po përballemi me rrezikun real të hyrjes në një spirale degradimi institucional – pa përgjegjësi politike, pa përfaqësim qytetar dhe pa besim publik. Kjo nuk është më thjesht një krizë politike – është krizë e demokracisë, e përfaqësimit dhe e shtetndërtimit. Si qytetarë, nuk i kemi asnjë borxh askujt të abuzon me vullnetin tonë apo të sillet me shtetin si me pronën e vet private”, ka theksuar Kryeziu.

Të hënën ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendi i Kosovës edhe në tentativën e 25, pasi sërish nuk mori votat e mjaftueshme për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Nga 104 deputetë që ishin në sallë, 51 deputetë votuan për, një kundër dhe s’pati abstenim. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka njoftuar se seanca ndërpritet për shkak të mungesës së kuorumit dhe do të vazhdojë më 4 qershor në orën 10:30.

Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post – është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive më 2 qershor, ta propozonin një përfaqësues që do ta siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Deri më tani deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve dhe atë të Betimit të Deputetëve. Procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Haxhiu e LV-së po konsiderohet figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LV-së për pozitën e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re.

Ministrja në detyrë, njëherësh kandidate për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka folur pas dështimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 2 qershor. Ajo para medieve ka thënë se partitë opozitare me një inat irracional kanë vendosur të mos marrin pjesë në votim.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se vendi është një fazë të rrezikshme. “Kemi hyrë në një fazë të rrezikshme për vendin. Ekonomia po dëmtohet dhe po rrezikohet. 140 mijë punëtorë po rrezikohen, familjet tona po rrezikohen e në ndërkohë Kuvendi dhe institucionet vazhdojnë të mbesin të bllokuara për shkak të kryeneçësisë së grupit të parë parlamentar”, ka thënë Çitaku.

Deputeti i LDK-së, Lufti Haziri, ka thënë se situata është e njëjtë dhe se mungesa e një vullneti politik për të gjetur një zgjidhje të shpejtë politike është bërë e pavlefshme për ta përmendur.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimet Sekrete Ukrainase goditën një shtyllë nënujore në një operacion…