Zgjedhjet më 3 nëntor, rëndësia për demokracinë në ShBA dhe rendin botëror në krizë

01 nëntor 2020 | 13:50

Burim Breznica

Zgjedhjet në ShBA më 3 nëntor, ndoshta janë më të rëndësishmet në historinë amerikane dhe rezultati i tyre do të ketë efekte të mëdha për demokracinë, mënyrën e qeverisjes se ardhme, të drejtat dhe liritë njerëzore në ShBA por edhe në rendin botëror. Prandaj ShBA dhe bota i pret këto zgjedhje me interesim të jashtëzakonshëm sepse varësisht se kush do të fitoj atje, nga ai rezultat dhe nga politikat e ardhshme do të varet se si do të duket jeta e shumë amerikanëve në 4 vitet e ardhshme si dhe politikat amerikane në nivelin global që do të ndikojnë në jetët e shumë njerëzve të tjerë në botë.
Vlen të nënvizohet që ShBA ishte ideatore e krijimit të një rendi të ri botëror pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndër qëllimet kryesore kanë qenë pengimi i një lufte të tillë në të ardhmen, sigurimi i paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, zhvillimi ekonomik etj. Ai sistem është i njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare edhe si Pax Americana (që d.m.th Paqja Amerikane nga latinishtja duke iu referuar Pax Romana gjatë Perandorisë Romake).
Gjatë periudhës 75-vjeçare u krijuan Organizata e Kombeve të Bashkuara (1945), Fondi Monetar Ndërkombëtar (1945), Banka Botërore (1944), Organizata Ndërkombëtare e këmbimit tregtar (ITO) apo Gatt që më vonë u shndërrua në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT më 1995). Pastaj SHBA kishte krijuar dhe NATO-n (1949) si organizatë politike-ushtarake dhe ombrellë sigurie për vendet perëndimore kundër sistemit komunist dhe ish Bashkimit Sovjetik. ShBA kishte inicuar dhe financuar Planin Marshall të ndihmave ekonomike dhe financiare për aleatët e ShBA-së në Evropë, të shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë drejtim, rol të rëndësishëm për politikat e sigurisë amerikane dhe ato globale luajti edhe formimi i Agjencisë së Inteligjencës amerikane, CIA më 1946, me urdhër të presidentit Truman.

Çfarë thotë ish-kryeministri suedez, Fredrik Reinfeldt, në librin e tij për zgjedhjet në ShBA?

Z. Reinfeldt ish-kryeministri suedez (2006-2014) që vinte nga partia liberalo-konzervative, Moderatët (Ai është Magjistër i Shkencave Ekonomike dhe ishte ideolog udhëheqës i partisë), në librin e tij të ri shkruan për zgjedhjet në ShBA dhe siç e quan ai “3 nëntor 2020: Zgjedhjet vendimtare, një demokraci në rrezik dhe një rend botëror në shthurje” (3 November 2020, Ödesvalet – Om en demokrati i fara och en Världsordning i upplösning, A. Bonniers Förlag, 2020). Reinfeldt shkruan se udhëheqja e botës nga amerikanët përmes rendit botëror Pax Americana që nga viti 1945 e këndej ka qenë shumë e rëndësishme për paqen dhe sigurinë në botë dhe për mirëqenien e Evropës, ShBA-së dhe më gjerë.
Ai thotë se përmes OKB-së u krijua një bashkëpunim ndërkombëtar për paqe dhe siguri dhe u krijuan shumë organizata ndërkombëtare që përkrahnin paqen, zhvillimin dhe tregtinë (f. 12). Në tërë botën ShBA-ja shfrytëzonte ndikimin saj për të balancuar dhe eliminuar kërcënime të ndryshme.
Në librin e tij World Order (2014) ish-ministri i jashtëm amerikan H. Kisinxher rendit 4 rende botërore: atë amerikan, evropian, kinez dhe mysliman. Të gjitha këto rende dëshirojnë të udhëheqin botën sipas modelit të tyre. Rendet amerikane, evropiane dhe kineze nisen nga territori i tyre që sipas tyre është vendi më i rëndësishëm nga ku duhet të udhëhiqet bota. Rendi botëror mysliman niset nga parimi që paqja dhe rendi i qëndrueshëm arrihet me bazë në fenë Islame. Sot është pak e vështirë të shihet bota e udhëhequr nga Evropa. Rendi kinez bazohet më shumë në “superioritetin kinez” apo ideologjinë komuniste që nuk është ndërtuar në tolerancë ndaj të tjerëve. Pax Americana ka gjëra më shumë pozitive, ka pikëpamje më liberale për njerëzit dhe shtetet, ekonominë, lirinë etj. në krahasim me të tjerët por ka edhe disa elemente të dominimit. Reinfeldt argumenton që Uilson është njëri nga liderët amerikanë të parë që kishte ide dhe vizione për një Rend Botëror të udhëhequr nga ShBA-të qysh në vitet 1920. Ideja ishte që bilanci i fuqive që bazohej në rendin evropian do të zëvendësohej me propozimin e tij, ku stili dhe mënyra e jetës e bazuar në Kushtetutën amerikane do të ishte mbizotëruese edhe për pjesën tjetër të botës (f.21).
Siç dihet, presidenti Uilson angazhohej për përgjegjësi dhe siguri kolektive, mbi këto baza u formua Lidhja e Kombeve më 1919 pastaj edhe NATO më 1949. Krijimi i OKB-së me pesë shtete më të drejtë vetoje vuri bazat e një rendi të ri botëror. Stalini ishte ai që kishte insistuar në të drejtën e vetos. Sot OKB-ja ka rreth 193 shtete anëtare nga bota. Presidenti amerikan që kishte ndikim të rëndësishëm në Rendin Botëror ishte H. Truman që u bë president amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kina dhe Rusia donin një rend botëror të bazuar në ideologjinë e tyre komuniste. Dominimi amerikan në botë është bërë përmes ofertës për demokraci e liri, zhvillim ekonomik dhe jetesë më të mirë ne krahasim me regjimet komuniste. Një demokraci liberale krahasuar me regjime komuniste autokratike, pa opozitë, pa zgjedhje, pa liri të shtypit dhe pa mundësi ekonomike.

Ndikimi i zgjedhjeve në ShBA dhe botë

Reinfeldt thekson pastaj se politikat e Trumpit përmes “Amerika së pari/America first” kanë shkuar në drejtimin që të çmontohet sistemi ndërkombëtar politik që e kanë krijuar vet amerikanët dhe si pasojë ka sjell edhe uljen e ndikimit amerikan në botë (f. 7). ShBA-ja nën udhëheqjen e presidentit Regan ishte vendi i mundësive. Regan e shihte rolin e ShBA-së si garant për mbrojtje të demokracisë dhe lirisë në botë kundër një komunizmi agresiv që vinte nga ish Bashkimi Sovjetik, vazhdon Reinfeldt më tej.
Gjersa nën udhëheqjen e presidentit Trump, bota është bërë më e pasigurt dhe jotolerante. Reinfeld shkruan tutje se “Trump në rolin e Presidentit ka kaluar shumë kufij të asaj që quhen si normal për një president. Ai ka filluar një sulm ndaj themeleve të demokracisë amerikane dhe ka përshpejtuar çmontimin e Pax Americana” (f. 70). Reinfeldt shkruan më tej se Trump zgjodhi rrugën e nacionalizmit si përgjigje ndaj sfidave të SHBA-së dhe kjo shihet në slloganin “Make America Great Again – Ta bëjmë Amerikën të shkëlqyeshme prapë”. Trump bëri një ndryshim historik në raport me presidentët e tjerë republikanë Linkoln dhe Regan “nga një parti që nuk pranonte dallime racore dhe ishte e hapur dhe mikpritëse për të tjerët, në një parti diskriminuese dhe kundër të huajve gjatë kampanjës parazgjedhore”(f. 79). Si shembull Reinfeld përmend deklarimet “që meksikanët ishin përdhunues” prandaj duhej ndërtuar mur në kufi, ai urdhëroi “një ndalim të hyrjes së myslimanëve në ShBA të cilin e zëvendësoi pastaj për myslimanët e disa vendeve specifike dhe prapë për të gjithë ata nga ato vende të zgjedhura” (f.79). “Një tjetër veçori e Trump, në kundërshtim me të gjitha rregullat, ishin sulmet dhe ofendimet e tij qe iu bënte kundërshtarëve politik brenda partisë dhe pastaj kundër kundërkandidates, zonjës Klinton, një gjë e tillë nuk do të ndodhte në Suedi” sipas ish kryeministrit Reinfeldt (f. 79). Edhe Freedom House, organizatë që përcjell zhvillimin e demokracisë dhe lirisë në botë kishte raportuar për zhvillimet negative në ShBA më 2019, sidomos për sulmet ndaj gjyqeve dhe gjyqtarëve por edhe medies janë brengosëse sipas Reinfeldt (f. 89).
“Trump ka punuar për çmontimin e Rendit Botëror Pax Americana dhe ai duket që do të vazhdoj ashtu. Duke braktisur instrumentet dhe institucionet që kanë vendosur themelet për dominimin nga SHBA-ja të ekonomisë botërore”. Ai ka një qasje merkantiliste në ekonomi dhe tregti që i sheh vetëm disa fitues globalisht dhe për këtë arsye ai ka dal nga marrëveshje ndërkombëtare për të bërë negociata bilaterale. Një shembull është organizata Nafta që përfshinte vendet e Amerikës veriore, Trump ka krijuar një marrëveshje që detyron vendet tjera që ata duhet të blejnë mallra nga ShBA nëse dëshirojnë të bëjnë tregti me ShBA-në. Sipas Reinfeldt, Trump ka punuar edhe kundër OBT (Organizata Botërore e Tregtisë) duke i dhënë përparësi marrëveshjeve bilaterale. Kur një superfuqi që vet krijoi mundësitë për tregti të lirë globale e saboton sistemin e vet, kjo e trimëron pjesën tjetër të botës që të mbroj interesat e veta. Pastaj Kina dhe Rusia zënë hapësirë më shumë etj. Trump vë në dyshim edhe bashkëpunimin në NATO duke thënë se ShBA-ja po paguan tepër, e vendet tjera shumë pak shkruan Reinfeldt më tej (f. 98).

Ideja bazë e Pax Americana e ndërtimit të rendit botëror ka qenë që të mbështetet demokracia dhe liria. Vendeve në mbarë botën do të iu garantohej hapësirë për tu zhvilluar si demokratike dhe të lira sikurse modeli amerikan që njihej si simbol për liri dhe demokraci. Këtu qëndron zhgënjimi dhe heqja dorë nga Rendi Botëror Amerikan dhe përgjegjësia është e Presidentit Trump sipas Reinfeldt (f. 97). ShBA-ja dhe bota tani gjenden para një udhëkryqi të madh. A do të qeveriset/sundohet bota nga liderë “të fortë”/strongmen që veprojnë në bazë të interesave të tyre kombëtare pa ndonjë koordinim apo do të këtë një rend botëror që do ta koordinoj? Trumpi ka zgjedhur një rrugë për ShBA. Eventualisht edhe katër vite të “America First” në Shtëpinë e Bardhe dhe bota në mënyrë permanente do të ndërroj rendin botëror argumenton Reinfeldt (f. 97).

“Nëse Trump fiton, do të vazhdoj çmontimi i demokracisë amerikane në mënyrë metodike. Rritja e ndikimit të familjes dhe rrethit të tij do të shtohet” shkruan Reinfeldt (f. 314-315).
Pjesa e lirë e botës do të zhvilloj bashkëpunime që nuk do të udhëhiqen nga ShBA. Me gjasë BE, Japonia, Kanadaja dhe Koreja Jugore do të zhvillojnë tregti ndërkombëtare. Me Trump në pushtet, iniciativa franceze për bashkëpunim ushtarak evropian do të fitoj peshë dhe do të shkohet drejt regjionalizimit të politikave dhe interesave të ndryshme. “Fitorja e Trump do të sjell rreziqe për tensione dhe trazira në ShBA dhe pasuesit e tij do të bëhen më agresivë dhe të dhunshëm” shkruan Reinfeldt (f. 315). ShBA është frymëzuar nga patriotizmi dhe krenaria për të udhëhequr botën. Filmat e Holivudit, librat dhe rrjetet sociale do të jenë më kritik dhe nuk do të jenë glorifikues për rolin amerikan në botë (f.315).
Gjersa për z. Joe Biden (Xho Bajden), Reinfeldt shkruan se sa herë që ai e thërriste në telefon e dinte se do të fliste me një profesionist. “Biden nuk më thërriste për të kërkuar diçka nga unë apo nga Suedia, ai thoshte se ju ka sqaruar kolegëve të tij që nuk kërkohen gjëra nga liderë dhe vende demokratike, por duhet bashkëbiseduar me respekt sepse vendimet në vende të ndryshme merren në mënyra të ndryshme. Biden pastaj vlerësonte lart Suedinë dhe tregonte një shaka për babain e tij (f.158). Ky është një shembull shkollor se si duhet të udhëhiqet diplomacia ndërkombëtare sipas Reinfeldt. Biden ishte për ndaljen e agresionit serb në Bosnjë dhe heqjen e embargos së armëve për boshnjakët. Ai përkrahu edhe më fuqishëm bombardimin e Serbisë nga NATO që presidenti Klinton urdhëroi më 1999 dhe ai erdhi me propozim edhe për angazhim të trupave tokësore, së bashku me senatorin republikan Xh. McCain, kurse liderin serb Millosheviq e quante kriminel lufte (f. 176).
Nëse z. Biden fiton, për shumë amerikanë dhe vende tjera të botës do të jetë pozitive. Në atë rast do të ishte rasti i tij për të ndryshuar politikat brenda dhe në nivel botëror. Ai do të ketë sfida brenda të kthej besimin në institucionet amerikane, të merret me grupet e djathta të zhurmshme rreth Trumpit si dhe grupet e krishtera rreth Tea movement. Pastaj të formuloj një politikë ekonomike që do të jetë e qëndrueshme pas pandemisë. Po ashtu të menaxhoj pandeminë me sa më pak humbje jetësh. Në nivelin ndërkombëtar ai duhet të marr një qëndrim për Rendin Botëror dhe rolin amerikan (f. 326-327).

Në vend të përfundimit

Kush do të fitoj zgjedhjet në ShBA do të vendoset më 3 nëntor, kur amerikanët do të zgjedhin Presidentin e tyre për të 59-en herë me rradhë. Shtetet që pritet të jenë vendimtare do të jenë: Florida, Pensilvania, Miçigen, Uiskonsin, Karolina Veriore dhe Arizona. Në disa sondazhe të diteve të fundit z. Biden po udhëheq ndaj Presidentit Trump në ShBA me rreth 7-10%, që është një tregues se si mund të jetë rezultati por nuk dihet për shkak të sistemit të komplikuar amerikan të votimit me sistemin e kolegjit elektoral. Sipas shtypit evropian (p.sh. gazeta suedeze Aftonbladet dhe sondazhi i Yougov në Time (https://time.com/5897861/europe-trump-biden-2020/ evropianët do të votonin më shumë kandidatin Biden se Trump. P.sh. danezët 80% për Biden kundrejt 6% për Trump (të tjerët të pavendosur), gjermanët 71% me 11%, francezët 64% me 14%, anglezët 61% me 13%, suedezët 74% me 14% për Biden (gazeta Aftonbladet, 25 tetor). Kosovarët do të votonin diku 92% për Biden dhe 8% për Trump (Bota Sot, sondazh online, 30 tetor, 2020).

https://time.com/5897861/europe-trump-biden-2020/

Administrata e Trump sipas analistëve e medies në ShBA ka menaxhuar pandeminë keq sepse nuk e ka marrë seriozisht në fillim (diku 229 mijë të vdekur deri tani, 30 tetor), si rezultat i pandemisë shumë njerëz kanë mbetur pa punë por edhe ndarjet dhe sulmet që kanë ndodhur ndaj njerëzve me ngjyrë dhe të tjerëve nga policia në ShBA, stili i udhëheqjes së tij dhe retorika konfliktuoze flasin kundër Presidentit Trump. Ajo që flet për të është se ai përmes retorikës së tij të njohur ka një grup përkrahësish tradicional, të bardhë, pastaj grupe religjioze, një pjesë që janë kundër të huajve dhe përkrahjen e nacionalistëve fanatikë. Ekziston një shqetësim dhe frikë tek analistët amerikanë dhe tek demokratët që nëse Trump humb zgjedhjet, ai nuk do t´i pranoj ato. Në një rast të tillë ShBA-ja do të ishte në një situatë të paparashikueshme dhe tepër të komplikuar.

Në anën tjetër, Biden paraqet një alternativë që duket më serioze, ai ka një plan për pandeminë, angazhohet për të gjithë amerikanët pa dallim kombësie apo ngjyre. Ai ka thënë së fundi që ShBA do të hyj në marrëveshjen e Parisit për klimë, pastaj ai do të punoj për mbrojtjen e të drejtave njerëzore në botë. Biden angazhohet që të kthej rolin udhëheqës amerikan në botë dhe ai ka përvojë të gjatë si politikan i suksesshëm, diku 30 vite në Senat dhe 8 vite si nënkryetar amerikan. Në aspektin ideologjik, politikat e Biden janë shumë më afër atyre të BE-së se sa ato të presidentit Trump.

Botës i duhet një Rend Botëror që funksionon. Një rend që siguron paqe, siguri dhe bashkëpunim mes shteteve, ku respektohet e drejta e vetëvendosjes së popujve dhe ku pengohen liderët e “fortë” apo strongmenët si i quan Reinfeldt ose liderët autokratë siç i quan zonja Ollbrajt. Fitorja e z. Biden do të ishte më e mirë për Kosovën dhe Shqipërinë sepse ai është mik dhe politikan i dëshmuar që ka punuar fuqishëm në mposhtjen e agresionit serb në Kosovë, në momentet më vendimtare (duke iu falenderuar edhe lidershipit të Presidentit të dashur në Kosovë, z. Klinton, ish sekretares Ollbrajt dhe gjeneralit Klark, më 1999). Z. Biden ka vizituar Kosovën dhe ka thënë se ajo është e pavarur dhe duhet respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Ai e ka theksuar këtë dhe politika tjera mbështetëse edhe në ”Vizonin e tij për Shqipërinë dhe Kosovën”para disa ditësh. Edhe bota do të përfitonte sepse politikat amerikane do të ishin më të parashikueshme, më bashkëpunuese dhe më globale.

Autori është njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Pikëpamjet e shprehura janë personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e institucionit ku ai është i punësuar (Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, Agjencia Tatimore e Suedisë, Stokholm).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ernest Rama është talenti i radhës nga Gjakova që pritet…