Zgjedhjet në Mitrovicë, Krasniqi: Shqetësimet e paraqitura janë serioze dhe, si të tilla, po i adresojmë në të gjitha instancat

11 nëntor 2025 | 10:51

Në lidhje me dyshimet për manipulim të votave në Mitrovicë nga partia në pushtet, LV, ka reaguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai ka theksuar se prej mbrëmë, menjëherë pas njoftimit nga komisionerët e tyre në Mitrovicë për shqetësimet rreth integritetit të procesit zgjedhor atje, kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve.

“Shqetësimet e paraqitura janë serioze dhe, si të tilla, po i adresojmë në të gjitha instancat dhe adresat përkatëse. Sot, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë, brenda afatit ligjor, edhe ankesën e saj zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”.

“Në ora 12:00, në selinë e partisë do të kemi një konferencë për media për të bërë të ditura detajet dhe veprimet tona lidhur me këtë çështje. Ne besojmë se çdo votë është zëri i qytetarit dhe themeli i demokracisë sonë. Prandaj, kur ekzistojnë dyshime apo paqartësi në proces, është e drejtë dhe detyrë ligjore që ato të shqyrtohen me kujdes dhe plotësisht nga institucionet përkatëse”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Ai ka theksuar se pa paragjykuar rezultatin përfundimtar, PDK-ja kërkon që çdo procedurë të trajtohet me transparencë, drejtësi dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor të mbetet i plotë.

“Vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur ta mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e vërtetë të votuesve me përgjegjësi, qetësi dhe bindjen e plotë se e vërteta do të dalë në dritë”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
*Çmimet: 11.11.2025* *ÇAGLLAVICË - (Në të dy anët e rrugës)…