Zgjedhjet në veri do të jenë vetëm farsë

12 prill 2019 | 17:16

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, nuk beson se zgjedhjet e reja lokale në veri të vendit do të jenë demokratike.

Ai ka thënë se në rrethanat që ekzistojnë në atë pjesë, organizimi i zgjedhjeve demokratike është vetëm një farsë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rashiqi ka thënë se për kundërshtarët e Listës Serbe është e rrezikshme të garojnë në këto zgjedhje.

“Në rrethanat që ekzistojnë është vështirë të bëhet një organizim i mirë i zgjedhjeve në atë pjesë, sepse organizimi në këto rrethana është vetëm një farsë. Dihet se kushtet në veri për mbajtjen e zgjedhjeve nuk janë bash demokratike”, ka thënë Rashiqi.

Ai ka treguar se presioni që ua bënë Beogradi zyrtar kundërshtarëve politikë të Listës Serbe nuk është diçka e re. Sipas tij, presione të tilla ka pasur prejse Aleksandër Vuçiqi ka ardhur në pushtet.

“Kjo nuk është diçka e re. Një gjë e tillë ka ndodhur prej vitit 2013. Këto vitet e fundit nuk ka pasur kushte të favorshme demokratike për të marrë pjesë në zgjedhje. Duke i ditur rrethanat, jo që do të jetë njëjtë edhe këtë herë, por besoj se oponentët tanë, në këtë rast regjimi që tani ka një manifestim më agresiv në veri, edhe një herë do të veprojë njëjtë për marrje të votave dhe fitore në këto zgjedhje lokale”, është shprehur Rashiq, duke shtuar se koncepti politik i Listës Serbe është ‘ai që nuk është me të, është armik i saj dhe i qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë’.

Rashiqi ende nuk ka vendosur nëse partia e tij do të garojë në këto zgjedhje. “Në këto rrethana do të jetë shumë vështirë se ndonjë parti apo ndonjë individ tjetër mund të bëjë fushatë që është në harmoni me demokracinë, në të njëjtën kohë të mos i rrezikojë të gjithë ata njerëz që dëshirojnë të dalin në zgjedhje. Prandaj, ende është herët për këtë çështje. Do të mendojmë mirë nëse vendosim të marrin pjesë në këto zgjedhje. Ndoshta do të ishte mirë të bëjmë një koalicion për zgjedhje atje, por tani për tani nuk mund ta konfirmoj”, ka thënë Rashiqi.

“Epoka e re”: Z. Rashiq, presidenti i Kosovës ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të vendit. Subjekti juaj politik do të marrë pjesë në këto zgjedhje?
Rashiq: Këtë vendim nuk mund ta marr vetëm unë. Një vendim të tillë do ta marrim në konsultimin me strukturat e partisë. Sidoqoftë, në këtë çast, në rrethanat që ekzistojnë atje, është vështirë të bëhet një organizim i mirë i zgjedhjeve në atë pjesë, sepse organizimi në këto rrethana është vetëm një farsë. Dihet se kushtet në veri për mbajtjen e zgjedhjeve nuk janë bash demokratike. Në këto rrethana do të jetë shumë vështirë që ndonjë parti apo ndonjë individ tjetër mund të bëjë fushatë që është në harmoni me demokracinë, në të njëjtën kohë të mos i rrezikojë të gjithë ata njerëz që dëshirojnë të dalin në zgjedhje. Prandaj, ende është herët për këtë çështje. Do të mendojmë mirë nëse vendosim të marrin pjesë në këto zgjedhje. Ndoshta do të ishte mirë të bëjmë një koalicion për zgjedhje atje, por tani për tani nuk mund ta konfirmojë.

“Epoka e re”: Mendoni se për oponentët politikë të Listës Serbe do të jetë e rrezikshme pjesëmarrja në këto zgjedhje?
Rashiq: Kjo nuk është diçka e re. Një gjë e tillë ka ndodhur prej vitit 2013. Vitet e fundit nuk ka pasur kushte të favorshme demokratike për të marrë pjesë në zgjedhje. Duke i ditur rrethanat, jo që do të jetë njëjtë edhe kësaj here, por besoj se oponentët tanë, në këtë rast regjimi që tani ka një manifestim më agresiv në veri, edhe një herë do të veprojë njëjtë për marrje të votave dhe fitore në këto zgjedhje lokale.

“Epoka e re”: Brenda çfarë kohe do të vendosni nëse do të merrni pjesë apo jo në këto zgjedhje?
Rashiq: Nuk e di se brenda çfarë kohe, por besoj se brenda afateve ligjore do ta kemi një vendim nëse do të marrim pjesë në këto zgjedhje.

“Epoka e re”: Së fundmi kemi parë se Beogradi zyrtar ka shtuar presionin ndaj oponentëve të Listës Serbe. Madje presidenti Vuqiq ka thënë se kush është kundër Listës Serbe është marionetë e shqiptarëve. Si i keni parë këto presione?
Rashiq: Presionin që po përmendni ju nuk është presion i shtuar. Ky presion ka qenë i vazhdueshëm. Një presion i tillë ka ekzistuar në shtatë vjetët e fundit, prej momentit të marrjes së pushtetit nga partia që ka pushtetin tani në Serbi. Këto format e manifestimit përmes Listës Serbe kanë treguar se nuk ka ndonjë perceptim tjetër politik, përveç atij që ‘të gjithë duhet të jenë me ne dhe, nëse nuk jeni me ne, nuk jeni vetëm oponentë tanë, por edhe armiq tanë’. Kjo nuk është diçka e re. Siç ju thashë, edhe më parë ka qenë ky presion do të vazhdojë edhe më tutje.

“Epoka e re”: Si mund t’ju ndihmojnë institucionet e Kosovës në këtë drejtim?
Rashiq: Si zakonisht, me respektim të ligjit. Që katër vjet unë po kërkoj nga këto institucione që ta zbatojnë ligjin. Fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

“Epoka e re”: Zyrtarët e Listës Serbe vazhdimisht po i fyejnë viktimat e luftës në Kosovë duke i mohuar masakrat që kanë ndodhur. Si i keni parë këto qëndrime të tyre?
Rashiq: Unë kam shprehur ngushëllime për krejt viktimat gjatë periudhës së luftës në vitet ’98-’99 dhe për viktimat e pasluftës. Me të vërtetë jam njeri që besoj si pacifist dhe më së miri është të bisedohet 1 000 ditë sesa të bëhet luftë një ditë. Po e përsëris, e dënoj ashpër secilën gjuhë të urrejtjes, në veçanti kur përmenden viktimat. Ne e kemi një të kaluar të rëndë dhe të gjithë duhet të kenë më shumë tolerancë, mirëkuptim, një ndjenjë morale dhe njerëzore ndaj të gjitha viktimave që kemi pasur në konfliktin që ka ndodhur.

“Epoka e re”: Qeveria e Republikës së Kosovës të enjten ka autorizuar Ministrinë e Drejtësisë që ta përgatisë nismën legjislative për rregullimin e sanksionimit të mohuesve të krimit. Si e keni parë këtë iniciativë?
Rashiq: Kjo është vetëm një ide. Tani nuk mund ta kem ndonjë vlerësim, por ajo që konsideroj se është e domosdoshme, duhet të aprovohet një ligj për politikanët ose për mundësitë e marrjes me politikë, në mënyrë që çdo politikan duhet ta ketë një konfirmim të doktorëve, ku psikiatri duhet me qenë njeriu kryesor i cili konfirmon ose nuk e konfirmon që një personalitet mund të bëhet pjesë e politikes në Kosovë. Kjo është ende një iniciativë dhe mbetet të shihet se si do të duket ligji nëse krijohet. Sidoqoftë, kjo do të jetë një rrugë e gjatë.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i majtë i skuadrës së Prishtinës, Abdul Bashiru, ka…