Zgjedhjet nuk e ndryshojnë qasjen e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor

30 maj 2019 | 07:00

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë të mërkurën se rezultati i zgjedhjeve të Bashkimit Evropian është lajm i mirë edhe për Ballkanin Perëndimor.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se qasja e BE-së do të jetë e ngjashme ndaj vendeve të Ballkanit.

“Mendoj se paraqesin, para së gjithash, një rezultat të mirë, për faktin se për kohë të gjatë është shpërfaqur një lloj frike që forcat e ekstremit të djathtë do të mbizotërojnë dhe do të fitojnë kësaj radhe në Bashkimin Evropian, për faktin se në vitet e fundit kemi pasur një lloj migracioni të madh i cili ka sjellë ksenofobinë dhe ka ndryshuar qëndrimin e Bashkimit Evropian. Por, përfundimisht, me rezultatin e zgjedhjeve përmbyset kjo teori dhe fitorja e forcave pro evropiane nuk është lajm i mirë vetëm për BE-në, por edhe për Ballkanin Perëndimor që synon të jetë pjesë e BE-së”, ka deklaruar Hoti. Sipas tij, mund të ketë vështirësi në procesin e vendimmarrjes, por jo edhe bllokim të procesit integrues.

Hoti ka thënë se BE-ja do të vazhdojë qasjen e njëjtë ndaj Kosovës dhe, sipas tij, pritet të ketë zhvillime pozitive meqë deri më tani i kanë hyrë në hak Kosovës.

“Pres që të kemi zhvillime pozitive në këtë pikë sepse Kosovës disa herë i është hyrë në hak në procesin e integrimit. Qasja e BE-së do të jetë pak a shumë e ngjashme ndaj Kosovës. Kriteret dhe kushtet e anëtarësimit dhe liberalizimit mbeten të njëjta dhe kontrolli ndaj përmbushjes së tyre do të jetë strikt”, ka thënë ai.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që në qershor, në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së, të merret një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë intervistë Hoti ka folur edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë duke thënë se roli dhe pozita e ShBA-së është e pakontestueshme në këtë proces. Ai ka deklaruar se në Samitin e Parisit pritet që të vendoset bazamenti i marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

“Në Paris do të flitet me terma më konkretë dhe besoj se do të vihet bazamenti i marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi”, është shprehur Hoti.

“Epoka e re”: Profesor, si i komentoni rezultatet e zgjedhjeve në Bashkimin Evropian?
Hoti: Mendoj se paraqesin, para së gjithash, një rezultat të mirë, për faktin se për kohë të gjatë është shpërfaqur një lloj frike që forcat e ekstremit të djathtë do të mbizotërojnë dhe do të fitojnë kësaj radhe në Bashkimin Evropian, për faktin se në vitet e fundit kemi pasur një lloj migracioni të madh i cili ka sjellë ksenofobinë dhe ka ndryshuar qëndrimin e Bashkimit Evropian. Por, përfundimisht, me rezultatin e zgjedhjeve përmbyset kjo teori dhe fitorja e forcave pro evropiane nuk është lajm i mirë vetëm për BE-në, por edhe për Ballkanin Perëndimor që synon të jetë pjesë e BE-së.

“Epoka e re”: Bazuar në këto rezultate, cila do të jetë qasje e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit?
Hoti: Nuk besoj se do të kemi ndryshime në kuptimin strukturor për faktin që koalicioni pa dyshim se do të krijohet nga forcat pro evropiane dhe krijimi i një koalicioni të ri do të mund të sillte eventualisht probleme në vendimmarrjen e BE-së në aspektin procedural, sepse nëse deri më tani kemi pasur dy parti kryesore që tradicionalisht kanë marrë shumicën e votave dhe kanë përbërë shumicën parlamentare, kësaj radhe do të kemi të paktën tre ose katër subjekte dhe kjo në kuptimin procedural normalisht se do ta komplikonte vendimmarrjen në përgjithësi. Në këtë dritë nuk shoh ndonjë ndryshim përmbajtjesor sepse të gjitha këto parti kanë për synim integrimin dhe vazhdimin e agjendës evropiane dhe në këtë kuptim nuk shoh ndonjë ndryshim kundrejt Ballkanit.

“Epoka e re”: Pra, nuk pritet të ketë ndonjë efekt bllokues sa i përket procesit integrues?
Hoti: Jo unë nuk besoj se do të ketë efekt bllokues, por mund të ketë vështirësi në vendimmarrje sepse nëse paraprakisht është dashur pëlqimi i dy subjekteve tash do të duhej pëlqimi i katër subjekteve parlamentare. Kjo normalisht se paraqet vështirësi parlamentare, mirëpo në asnjë mënyrë nuk do të ketë bllokada.

“Epoka e re”: Cili do të jetë efekti i këtyre zgjedhjeve për Kosovën?
Hoti: Nuk do të kemi shumë ndryshime edhe kundrejt Kosovës. Pres të kemi zhvillime pozitive në këtë pikë sepse Kosovës disa herë i është hyrë në hak në procesin e integrimit. Zgjedhjet e kanë zhdukur argumentin që e kanë përdorur evropianët se ‘kemi dilema në mesin e qytetarëve tanë për dhënien e liberalizimit të vizave për kosovarët sepse po e vuajmë me kurrizin tonë’. Qasja e BE-së do të jetë pak a shumë e ngjashme ndaj Kosovës. Kriteret dhe kushtet e anëtarësimit dhe liberalizimit mbeten të njëjta dhe kontrolli ndaj përmbushjes së tyre do të jetë strikt.

“Epoka e re”: Liberalizimi i vizave është çështja më e përfolur në këto vite por, së fundi, ka pasur deklarime se pas zgjedhjeve në BE, Këshilli i Ministrave mund të marrë një vendim në qershor. Jeni optimist për një vendimmarrje në favor të Kosovës në qershor?
Hoti: Jam optimist i rezervuar dhe besoj në deklarimin e evropianeve, se pas zgjedhjeve nuk ka më arsye logjike për ta prolonguar edhe më tutje këtë vendim. Megjithatë, rezervat e mia do të hiqeshin sikur të tregoheshim edhe pak më aktivë në kuptimin e heqjes se çfarëdo dileme që vendet e BE-së do të mund të kishin kundrejt Kosovës. Ne vazhdimisht themi se i kemi përmbushur kriteret dhe me pjesën më të madhe të kësaj pajtohem edhe unë, por është i nevojshëm një koordinim më i ngushtë i institucioneve tona me secilin shtet të BE-së në mënyrë që të merren, para se gjithash, shqetësimet e tyre. Për shembull, të bisedohet me Francën se cili është shqetësimi i francezëve, nëse është migracioni ilegal ta kthenim atë në detyrë, të hartonim raporte dhe t’u dërgonim francezëve se kemi përmbushur jo vetëm në mënyrë deklarative, por edhe në praktikë të gjitha kriteret në mënyrë që ky vendim të merret sa më shpejt që është e mundur. Nuk do të befasohesha që një gjë e tillë të ndodhte në qershor.

“Epoka e re”: Meqenëse konstituimi i institucioneve mund të marrë kohë, ka gjasa që kjo vendimmarrje të shtyhet për fundvit?
Hoti: Duhet të kemi parasysh se vetë formimi dhe fillimi i funksionimit të institucioneve të BE-së merr kohë. Prandaj edhe mund të lihet për mbledhjen e radhës që pritet të mbahet diku kah fundit i vitit.

“Epoka e re”: Komisioni Evropian të mërkurën ka publikuar raportin për Kosovën. Mendoni se është prezantuar gjendja reale në këtë raport?
Hoti: Në mënyrë fundamentale është përshkrim i situatës. Nuk kam ndonjë koment të theksuar në kuptimin se kemi rënie apo ngritje sepse raporti përfundimisht tregon atë që, në fakt, Kosova po vuan tash e sa kohë. Në pikat kyçe që janë parakushte për integrim, siç është reforma në administratën publike, thuhet se ka pak përparim. Ajo që ka qenë në thumb të kritikës së brendshme dhe të jashtme është numri i madh i zëvendësministrave, korrupsioni është shumë i përhapur, ndikimi politik qoftë në medie, qoftë në pozita të larta publike mbeten sfida shumë serioze për të cilat besoj se edhe raporti nuk ka dhënë ndonjë vlerësim shumë pozitiv. Ka shumë detyra para vetes për të cilat institucionet e tona duhet të tregojnë përkushtim dhe t’i adresojnë në të ardhmen.

“Epoka e re”: Z. Hoti, pas zgjedhjeve, a prisni një impuls të ri të BE-së lidhur me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Hoti: Kemi një proces hibrid për çështjen e vazhdimit të dialogut. Në muajt e fundit, ndoshta për shkak të zbehjes së rolit të përfaqësueses së BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini, stafetën e udhëheqjes së këtij procesi e kanë marrë Gjermania dhe Franca si dy shtete kryesore të BE-së. Por, vërtet është shqetësuese nëse ShBA-ja nuk është e përfshirë në këtë proces sepse historia jonë e re dhe e vjetër ka dëshmuar se asnjë marrëveshje substanciale nuk është arritur pa praninë dhe mbështetjen e ShBA-së. Edhe në këtë që po njihet si marrëveshje përfundimtare roli dhe pozita e ShBA-së është e pakontestueshme.

“Epoka e re”: Çfarë pritjesh keni nga Samiti i Parisit?
Hoti: Nëse kalohet sikur në Samitin e Berlinit, mendoj se gjërat do të jenë krejtësisht formale, por unë dua të besoj se vetë fakti i thirrjes së një samiti në mbështetje të samitit paraprak reflekton përkushtimin e vendeve kryesore të BE-së që të shkojmë kah gjetja e një zgjedhje konkrete. Në Paris do të flitet me terma më konkretë dhe besoj se do të vihet bazamenti i marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi.

(Shqipe HETEMI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, njëherësh nënkryetar i AAK-së, Pal Lekaj, ka…