
Zgjedhjet u kryen, por zgjidhja po e thellon krizën
Shkruan: Hisen Berisha
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Kosova ka hyrë në një nga periudhat më të pasigurta politike që nga shpallja e pavarësisë.
Megjithëse zgjedhjet kaluan pa incidente madhore, rezultati i tyre ka prodhuar një Kuvend të fragmentuar, pa shumicë të qartë parlamentare, dhe me pamundësi për të krijuar institucione të reja.
Kaluan më shumë se dy muaj dhe vendi ende nuk ka as Kryetar Kuvendi, as Qeveri funksionale.
Kjo situatë përbën jo vetëm një krizë të numrave në Kuvend, por edhe një krizë të legjitimitetit dhe funksionalitetit demokratik.
Në mungesë të institucioneve, vendimet që prekin jetën e qytetarëve, ekonominë, sigurinë, shëndetësinë e arsimimin po mbeten pezull.
Shteti është në autopilot, ndërsa partitë politike janë të mbyllura në kalkulime të ngushta dhe pazare për poste, jo në përpjekje për stabilitet.
Përgjegjësia më e madhe bie mbi subjektet që dolën më të votuara, por që nuk po arrijnë të ndërtojnë besim dhe aleanca minimale për qeverisje.
Presidentja, si garantuese e unitetit dhe kushtetutshmërisë, nuk po shfrytëzon mekanizmat që i jep Kushtetuta për të shtyrë palët drejt një zgjidhjeje institucionale.
Në këtë pikë, vendi ndodhet në një rrezik real për të shkuar drejt një boshllëku kushtetues, që mund të çojë ose në zgjedhje të reja të parakohshme, ose në një krizë të thellë të funksionimit shtetëror.
Ajo që mungon në këtë moment kritik është përgjegjësia politike dhe pjekuria shtetformuese.
Partitë nuk po e lexojnë situatën në kontekstin më të gjerë të sfidave që ka Kosova, si dialogu me Serbinë, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, reforma në drejtësi, siguria kombëtare, integrimi evropian.
Në një kohë kur vendit i duhet stabilitet për të përballuar këto sfida, elita politike po e mbërthen në një krizë të brendshme që po gërryen themelet e institucioneve.
Zgjidhja duhet të vijë përmes një marrëveshjeje politike të gjerë, që mund të përfshijë edhe një qeveri teknike me bazë të gjerë kalimtare, me mandat të qartë dhe afat të përcaktuar, që do të përgatisë zgjedhje të reja ose do të menaxhojë situatën deri në ndërtimin e shumicës.
Alternativa tjetër, është paraliza dhe degradimi institucional.
Kosova nuk mund të përballojë një stinë tjetër të krizave.
Duhet vullnet politik, guxim për kompromis dhe vëmendje ndaj interesit shtetëror.
Në të kundërtën, humbësi i vetëm do të jetë qytetari i Kosovës.