
Zgjidhet treshja e gjyqtarëve që do gjykojnë Berishën dhe dhëndrin e tij
Është hedhur shorti për treshen e gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjen “Partizani”.
Gjyqtarja e posaçme, Elsa Ulliri do jetë kryesuesja e trupës gjykuese për dosjen e aferës Partizani, e cila tashmë ka kaluar për gjykim me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin Jamarbër Malltezi dhe 3 bashkëpunëtorët e tyre.
Shorti është hedhur të hënën në GjKKO, ndërsa gjyqtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloj janë dy anëtarët e tjerë të trupës gjykuese. Kjo treshe gjyqtarësh do të duhet të përcaktojë brenda 10 ditësh datën e seancës së parë të gjyqit në themel.
Sipas aktakuzës zyrtare, Sali Berisha akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, kryer në bashkëpunim”, bazuar në nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal. Sipas SPAK, Berisha ka favorizuar procesin e privatizimit dhe më pas zhvillimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në interes të dhëndrit të tij, duke keqpërdorur funksionin publik.
Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës, përballet me dy akuza:
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë, kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 260” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale, në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, sipas nenit 287 të Kodit Penal”.
Sipas SPAK-ut, Malltezi ka përfituar në mënyrë të parregullt pronën publike dhe ka kryer transaksione financiare që synonin të fshihnin origjinën e paligjshme të të ardhurave të siguruara nga kjo skemë.
Me Berishën dhe Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i akuzuar “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.
Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan”, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan. Në gjyq janë çuar edhe kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”, të tria për pastrim parash.