“Zgjoi” i Bashollit, në konkurrencë kryesore në “Sundance Film Festival”

16 dhjetor 2020 | 00:18

“Zgjoi” (Hive), filmi debutues i regjisores dhe skenaristes Blerta Basholli, është përzgjedhur në konkurrencë zyrtare kryesore në festivalin e njohur “Sundance Film Festival” që do të mbahet në janar të vitit 2021 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është një prej tre festivaleve më të rëndësishëm të filmit në botë. Pas këtij suksesi, regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli dhe aktorja Yllka Gashi kanë marrë qindra urime nga artistë të Kosovës dhe të huaj për këtë sukses të madh ndërkombëtar, nëpërmjet të cilit paraqitet edhe puna e artistëve të Kosovës dhe i bëhej jehonë e madhe lobuese shtetit tonë.

“Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten.

Në një shkrim në “Facebook” të Qendrës Kinematografike të Kosovës bëhet me dije se regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli është shprehur jashtëzakonisht e lumtur për pjesëmarrjen në Sundance, në veçanti për temën që shtjellon ky film, për gratë e suksesshme të Krushës së Madhe.

“Një falënderim i veçantë për zonjën Fahrije Hoti e cila ndau me ne tregimin e saj, i cili ishte inspirim i vërtetë për mua si grua e shpresoj të jetë edhe për shumë gra e vajza të tjera”, citohet të ketë thënë Basholli, e cila i ka falënderuar të gjithë ekipin e filmit për të cilin është shprehur se “ishte një kombinim perfekt i një grupi filmbërësish nga shumë vende të ndryshme që kontribuuan jashtë mase në të gjitha fazat e realizimit të filmit”.

Ndërkaq, Yll Uka, producent i filmit, u shpreh i lumtur që pas një pune gati pesëvjeçare do të sjellin para publikut një rrëfim të rëndësishëm. “Dua ta falënderoj të gjithë ekipin dhe regjisoren Basholli, në veçanti zonjën Fahrije që na besoi tregimin e saj që ta realizojmë film”, është shprehur ai.

Rolin kryesor e luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet e tjera paraqiten: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismajli, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Tërbunja, Shkelqim Islami etj, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, bashkëproducent Valon Bajgora, Agon Uka, Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Paskal Semini.

“Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio në bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri shqiptar Edi Rama, përmes rrjetit social ‘Facebook’, ka bërë…