‘Zhbllokohet’ Aeroporti i Vlorës: Apeli i rikthen Behgjet Pacollit të drejtën e votës

26 dhjetor 2025 | 10:54

Një vendim i Gjykatës së Apelit në Tiranë ka sjellë një zhvillim të rëndësishëm në çështjen e konfliktit mes ortakëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke rikthyer funksionimin e pjesshëm normal të shoqërisë koncesionare dhe të kantierit të ndërtimit.

Trupa gjykuese e përbërë nga Arta Duka, Sokol Pina dhe Valbona Vata ka prishur vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të datës 17 tetor, i cili kishte pezulluar marrjen e çdo vendimi në shoqërinë “Vlora International Airport – VIA”, pas heqjes së të drejtës së votës për kompaninë “Mabco Constructions SA” të biznesmenit Behgjet Pacolli, aksionari kryesor i aeroportit.

Me këtë vendim, Apeli i Tiranës i ka rikthyer “Mabco Constructions” të drejtën e votës në organet vendimmarrëse të shoqërisë, duke zhbllokuar proceset administrative dhe operacionale që kishin mbetur pezull. Ky zhvillim cilësohet thelbësor për vijimin e punimeve dhe për mbarëvajtjen e projektit strategjik të aeroportit.

Megjithatë, gjykata ka vendosur një masë tjetër sigurimi padie, duke vendosur kufizime të qarta mbi këtë të drejtë. Konkretisht, deri në përfundim të gjykimit përfundimtar, e drejta e votës së “Mabco Constructions” pezullohet vetëm për vendimmarrjet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit. Këto aksione pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi, përmes kompanisë “2A Group”.

Në praktikë, kjo do të thotë se Pacolli dhe kompania e tij mund të marrin pjesë në vendimmarrje për çështje të tjera të shoqërisë, por nuk mund të votojnë apo të ndërmarrin hapa që lidhen me shitjen, transferimin apo ndryshimin e pronësisë së paketës 47% të aksioneve që është në konflikt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në aktakuzë thuhej se Trajkoviç ka kontribuar në vrasje, bastisje,…