Zhduken 80 ampula me fentanil në Itali, mund të përfundojnë në ‘tregun e zi’

05 korrik 2026 | 09:28

Qeveria italiane ka ngritur alarmin pasi 80 ampula me fentanil, një opioid sintetik deri në 100 herë më i fuqishëm se morfina, janë vjedhur nga Spitali Izraelit i Romës.

Sasia e zhdukur do të mjaftonte për të prodhuar rreth 20 mijë doza, të cilat dyshohet se mund të përfundojnë në tregun e paligjshëm të drogës. Në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, abuzimi me fentanilin është kthyer në një emergjencë kombëtare të shëndetit publik, shkruan Euronews.

Fentanili përdoret në mënyrë të ligjshme në mjekësi si anestetik dhe për trajtimin e dhimbjeve të forta, përfshirë ato të pacientëve me kancer. Megjithatë, përdorimi i tij jashtë kontrollit mjekësor mund të ketë pasoja fatale. Edhe një dozë shumë e vogël, rreth 3 miligramë, mund të jetë vdekjeprurëse. Kur përzihet me substancën ksilazinë (xylazine), ai njihet në mënyrë të përhapur si “droga zombie”, për shkak të efekteve të rënda që shkakton tek përdoruesit.

Edhe në Itali, përhapja në rritje e fentanilit në tregun e paligjshëm ka shtuar shqetësimet për shëndetin publik. Si përgjigje, në mars të vitit 2024, Departamenti për Politikat Kundër Drogës pranë Zyrës së Kryeministrit prezantoi Planin Kombëtar për Parandalimin e Përdorimit të Papërshtatshëm të Fentanilit dhe Opioideve të Tjera Sintetike, me synim frenimin e abuzimit dhe forcimin e masave parandaluese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë caktuar datën dhe…