
Zhegrova: Ëndrra ime u bë realitet, dua gola dhe tituj
Torino, 2 shtator – Edon Zhegrova është tashmë futbollist i Juventusit. Pas njoftimit zyrtar, sulmuesi kosovar ka dhënë edhe intervistën e tij të parë si bardhezi, duke shprehur emocionet e mëdha për këtë hap të rëndësishëm në karrierë. Transferimi i tij nga Lille u mbyll për një shumë totale prej rreth 18.5 milionë eurosh, duke përfshirë ofertën bazë, kostot shtesë dhe bonuset.
Marrëveshja u finalizua paralelisht me shitjen e Nico Gonzalez te Atletico Madrid për 33 milionë euro. Pas përshëndetjes me tifozët, vizitave mjekësore dhe firmës në kontratë, Zhegrova u prezantua me fjalë plot entuziazëm.
“Për mua është një ëndërr. Jam krenar dhe i nderuar që do të vesh këtë fanellë. Ky është një moment i jashtëzakonshëm për mua dhe familjen time”, ka thënë ai për kanalet zyrtare të klubit. Sa i përket rolit të tij në fushë, kosovari ishte i qartë: “Pozicioni im i preferuar është si anësor i djathtë. Më pëlqen të shënoj gola, të jap asistime dhe t’i ndihmoj shokët e skuadrës me cilësitë e mia”. Zhegrova kujtoi edhe përballjen me Juventusin në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar: “Ishte një ndeshje e madhe, shumë e vështirë. Tani jam i lumtur që jam këtu dhe mezi pres të njoh shokët e skuadrës”.
Në fund, ai foli për objektivat e tij: “Dua të shënoj shumë gola dhe mbi të gjitha të fitoj tituj. Me cilësinë që ka kjo skuadër, besoj se mund t’ia dalim”. Me këtë prezantim, Juventusi fiton një lojtar plot energji dhe ambicie, ndërsa Zhegrova nis një aventurë të re ku synon të lërë gjurmë në futbollin italian dhe atë evropian.