Zhegrova mund të debutojë kundër Interit

09 shtator 2025 | 16:43

Sulmuesi i Juventusit, Francisco Conceicao, është tërhequr nga kombëtarja e Portugalisë për shkak të një lëndimi muskulor, duke vënë në dyshim pjesëmarrjen në “Derby d’Italia” kundër Interit këtë fundjavë. Federata Portugeze e Futbollit konfirmoi se 22-vjeçari u largua nga kampi stërvitor në Budapest pas shqetësimeve muskulore dhe është përjashtuar nga ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës ndaj Hungarisë.

Ai do të kthehet në Torino për kontrolle të mëtejshme mjekësore. Conceicao ka qenë titullar në të dyja ndeshjet e para të Juventusit në Serinë A, duke ndihmuar skuadrën të marrë fitore ndaj Parmës dhe Genoas. Ai ka luajtur si sulmues krahu, përkrah Kenan Yildizit në sistemin e trajnerit Igor Tudor prej 3-4-3. Nëse ai nuk rikuperohet në kohë, alternativa për Tudor mund të jenë Edon Zhegrova ose mesfushori Teun Koopmeiners, varësisht nga zgjedhja taktike e teknikut kroat.

Zhegrova ka qëndruar në Torino për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen ndaj Interit dhe ai mund të luajë tashmë startues para tifozëve Bianconero në “Allianz Stadium”. Ndeshja në mes të Juventusit dhe Interit zhvillohet të shtunën mbrëma në Torino dhe pritet të jetë një nga duelet më të zjarrta të sezonit në Serinë A.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia ka sekuestruar në veri aparate që shërbenin për pagesa…