
Zidane dhe Pëllumbi përforcojnë Dritën
FC Drita vazhdon të forcojë radhët e saj për sezonin e ri, duke prezantuar dy prurje të rëndësishme: mesfushorin e ri premtues Mamadou Ben Zidane dhe mbrojtësin shqiptar me përvojë ndërkombëtare, Jorgo Pëllumbi.
“Mamadou Ben Zidane, 19 vjeç, i bashkohet klubit nga skuadra franceze SC Bastia. Mesfushori i ri sjell me vete energji, kreativitet dhe potencial të madh për të ardhmen. Ai pritet të jetë një aset i rëndësishëm për Dritën në garat vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Dritës.
“Jorgo Pëllumbi, 25 vjeç, është një emër i njohur në futbollin shqiptar dhe më gjerë. Me përvojë në kampionatin shqiptar, kroat dhe hungarez, si dhe me paraqitje për Shqipërinë U21, Pëllumbi është një përforcim i qëlluar për prapavijën e Dritës. Ai njihet për disiplinën, vendosmërinë dhe qetësinë në lojë”, thuhet në njoftimin e skuadrës nga Gjilani.
FC Drita i uron mirëseardhje të përzemërt të dy lojtarëve dhe shumë suksese në këtë kapitull të ri të karrierës së tyre: “Mirë se erdhët në familjen bardhekaltër, Mamadou dhe Jorgo!”.