
Zidane: Do ta mbështes PSG-në kundër Interit
Po rritet adrenalina për të ndjekur finalen e Ligës së Kampionëve, e cila është parashikuar të luhet të shtunën, më 31 maj, prej orës 21:00 në “Allianz Arena” të Mynihut mes PSG dhe Interit. I pranishëm në “Çmimin e Madh të Monakos”, legjenda e dikurshme e Juventusit dhe Real Madridit, Zinedine Zidane, foli për “Canal+” në lidhje me këtë eveniment të madh. Për kë do të bëjë tifo “Zizou” në këtë finale të madhe. “A do ta shikoj finalen e Ligës së Kampionëve? Po, sigurisht, patjetër që do ta shikoj. Edhe pse jam nga Marseja, mendoj se skuadra franceze duhet të fitojë”.
Një deklaratë jo shumë befasuese nga një njeri që është bërë simbol për gjithë lëvizjen e futbollit francez. Dhe që ndoshta, kush e di, një ditë mund të gjendet në bankinën e vetë PSG-së.
Pas fitores së 3 Ligave të Kampionëve, 2 Kupave të Botës për Klube, 2 Kupave të Mbretit, 2 La Ligave, 2 Superkupave të Evropës dhe 2 Superkupave të Spanjës, si dhe dy çmimeve si trajneri i vitit, ish-fituesi i “Topit të Artë” i ka dhënë fund aventurës si trajner që nga viti 2021, kur u largua nga Real Madridi.