
Zjarr dhe të shtëna pranë Kuvendit të Serbisë, një i plagosur
Një person është plagosur si pasojë e të shtënave të mërkurën pranë Kuvendit të Serbisë në Beograd gjatë një incidenti ku shpërtheu edhe zjarri në një tendë aty pranë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar këtë incident si “akt terrorist”.
Duke folur në një ceremoni për nënshkrimin e një kontrate për ndarjen e fondeve për blerjen e shtëpive rurale, Vuçiq tha se i duhej të largohej nga kjo ngjarje për shkak të “aktit terrorist para Kuvendi të Serbisë”.
Ndërkohë, zjarri në tendë u shua rreth mesditës pasi ndërhynë zjarrfikësit dhe tymi që dilte nga tenda u zhduk pothuajse plotësisht, raportoi një gazetar i Shërbimit të Ballkanit të “Radios Evropa e Lirë”.
Policia ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se çfarë ka ndodhur dhe çfarë e shkaktoi zjarrin që shpërtheu në tendat e vendosura në zonën që ruhet vazhdimisht nga policia.
Radio Televizioni i Serbisë raportoi se policia e arrestoi një burrë para Kuvendit, nën dyshimin se e ka plagosur me armë zjarri një burrë tjetër.
Shërbimi i ambulancës e konfirmoi më parë se një person është transportuar në Qendrën e Emergjencës.
Tenda – një nga disa që u vendosën këtë vit nga mbështetësit e Vuçiqit gjatë protestave kundër Qeverisë – u dogj plotësisht nga zjarri, i cili u shoqërua me tym të dendur.
Oficerët e policisë, anëtarët e ekipit të mjekësisë ligjore dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje.
Policia bllokoi hyrjen dhe nuk lejoi kalimin para Kuvendit.