Zjarri orfeik që shpërthen nën një këmishë prej zjarri

07 korrik 2023 | 11:43

Pal Ndrecaj

Përsiatje pas leximit të librave “Palimpsest orfeik 2” dhe “Këmishë prej zjarri” të poetit Kadrush Radogoshi

Një aventurë leximi e shkallëshkallshme, me kureshtjen e saj të fazës fillestare, po që vjen duke përshpejtuar ritmin në secilën ndeshje me befasitë e palosura në vargje, do të të fusë ngadalë e qetë në një brendi misteresh të shumta, që kanë me ta trazu botën e mendimit dhe me t’i provoku përsiatjet njohëse. Dinamikën e gjithë kësaj do ta përcaktojë takimi me të papriturën, i cili, si në rastet më të veçanta, është tronditës dhe vetiu të shkund në gjetjen e një përgjigjeje, që do të jetë më interesantja vetëm duke qenë e jotja. (Në terma teorikë do të kuptonim se po flasim për vlerat polisemantike. Mirëpo, përballë një mënyre bashkëbisedimi më të afërt me vargjet, një bashkëbisedim që ua ofron atyre “mikrofonin” dhe i bën ato të flasin, ndërsa kritiku kthehet në një lloj moderatori, ligjërimi “ex katedra” duket shumë i ftohtë). Në rastin më të qëlluar, tashmë, ti ke arritur tek një esencë, tek ajo esenca që është nyja e formuar nga fijet e tri boshteve të jetës: fijet e dhembjes, të përjetimit, e të reagimit. Të atij reagimi që e kërkon nevoja e përmbushjes së misionit tonë në jetë dhe ajo e çlirimit të shpirtit, i cili, nga momenti në moment, kërkon rastin të shpallë sovranitetin e tij. Tashmë, ndodhesh në botën e tij dhe realitetet janë të po asaj bote, të po asaj janë edhe qeniesimi e ndjeshmëria – në botën ku udhëtarët e jetës “domosdoja i ka kapur për dore dhe i hipën /në barkën e një Noje…”

A të shpie ajo barkë në Itakën tënde gjeografike e shpirtërore, është çështje e raportit tënd me  faktet e realitetit e jo e ndonjë veçantie të barkës. E atij raporti që ka aftësinë që përmbi realitetet e botës së materiales-zot të mbivendosë realitetin e botës së zotit-artist. Sapo të mbërrish aty, merr premtimin se:

“Askush në këtë botë nuk e lë pa u kthyer

Në vendin e lindjes

Në zhgjëndërr a në ëndërr

Ç’rëndësi ka?

Athua ka rëndësi në e kemi prekur cakun tonë në ëndërr a në zhgjëndërr? Krejt kjo është çështje e lirisë, respektivisht e konceptimit të saj.

Si duket koncepti i lirisë në poezinë e Kadrush Radogoshit? 

Liria duhet ribërë – është një konkluzë që del nga vargjet e poetit. Kjo ide, në të gjitha mënyrat e shfaqjes së saj, bëhet njëra nga dominantet kryesore të poezisë së Kadrushit. “Liria duhet ribërë”, është një ide që poeti na e jep edhe kur përfol historinë, edhe kur shqyrton të sotmen në mënyrë kritike, edhe kur konkludon për të nesërmen. Ai i ka gdhendur e palosur semantikisht domethëniet dhe i ka ekspozuar estetikisht në atë mënyrë që të kënaqin edhe nevojat, edhe shijet. Poezia “Te Deum Dardanicus Laudamus” është ajo që merr përgjegjësinë artistike të përfaqësojë këtë ide. Liria duhet ribërë, sepse atë e kanë “vjedhur nga koncepti “liri” dhe shportën e saj e kanë mbushur me “dërdëllima hienash për lirinë e xhunglës… për të drejtat e padrejta…”

Herakliti njihte katër elemente të krijimi të botës, poeti ka një Element për ta ribërë lirinë. Ai element është Poezia. “Poezia qenka bërë himn për t’ia kthyer lirinë lirisë”.

Kadrushi i përdor shumë shpesh foljet në mënyrën habitore. Folja në këtë mënyrë (në habitore) vjen në dy raste: edhe kur gjërat, duke qene se devijojnë zhvillimin e tyre normal zgjojnë ndjenjën e habisë (si fazë fillestare e kundërshtimit), edhe kur është arritur kushti i një katarsisi. Në rastin e parë folja në habitore rrit shkallën e një përjetimi të dhembshëm dhe dramacitetin e kundërshtisë, kurse në të dytin krijon befasinë e këndshme. Një lojë e bukur me përdorimin e mënyrave të foljes, me imazhet, me kuptimet.

“Cilët zotna më paskan detyruar

Jo vetëm të mos e ringjall, por as të mos e parafytyroj Trojën

Pa Kalin e Drunjtë para dyerve të saj?”

Në strofën e mësipërme kemi rastin kur folja në habitore avancon përjetimin dramatik, kurse në vargjet e mëposhtme kam zgjedhur një shembull kur folja në këtë mënyrë (në habitore) krijon ndjenjën e çlirimit e befasinë e këndshme të daljes nga rrathët e ferrit:

“Poezia qenka bërë himn

për t’ia kthyer lirinë lirisë”

ose:

“Dashuria paska qenë

Zbuluesja e parë e zjarrit”

Poeti është i shqetësuar për fatin e poezisë, se fati i poetit është i zgjidhur. Kur ai bën vetëvrasje, “vajtimin për të e bën poezia”. Pra vajtimi është një fenomen që edhe vajton të keqen, edhe e shëron atë.

“Po poezinë kush e vajton kur ajo vret veten?”, pyet poeti. Vajtimi vë në pah anët e mira të një personi, vlerat, virtytet, dhe, në këtë mënyrë bëhet një lloj shpëtuesi, që e bën vdekjen relative, si të thuash e zbutë atë. Duke ia përmendur veprat e mira dikujt që ndahet nga ne, nëpërmjet vajtimit, ai, disi, mbahet gjallë, pranohet më lehtë në kujtesë dhe merr këtë dimension të jetuari.  Pra, të vajtosh është si të thuash të mbrosh. Jo të mbrosh një person imagjinar ose real, por të mbrosh Kohën, të mbrosh Jetën.

Njëmend, pra, kush e vajton poezinë kur ajo vret veten?

Jini të vëmendshëm, tashmë keni zbritur në botën e absurdit dhe keni të bëni me fenomenin e tij.

Raporti i absurdit me arsyen në poezinë e Kadrush Radogoshit

Ngado që t’i qasesh poezisë së Kadrushit, ke me u ndeshë me dy fenomene që përjetësisht i qëndrojnë përballë njëra-tjetrës: me absurdin dhe me arsyen. Absurdi është gjendja në të cilën arsyeja pushon, hesht dhe i lë hapësirë të lirë dhe mundësi shfaqjes së të keqes. Absurdi është, pra, gjendja pa arsye dhe s’kemi si të themi “ai shfaqet për arsye se…”. Nuk i numërohen arsyet të paarsyeshmes. Mirëpo, ja që poeti është një përjashtim edhe nga ky rregull. Ai i gjen ato, dmth ia njeh “arsyet” absurdit. Dhe, ndoshta, mu në këtë përjashtim qëndron ajo magjia që e bë poetin një demiurg e poezinë zë profetik. Ndaj, nuk është e rastit se grekët e lashtë besonin se atë, dmth poezinë, e sjellnin në kokën e poetit disa krijesa te shenjta nga Parnasi, të quajtura Muza.

“Zoti i shqiptarëve është çmendur

E s’ka doktor bir nëne që e shëron

E s’ka trim për ta lidhur në hekura…”

Këtu ndodhet njëra nga burimet e absurdit, të cilit një përmasë ia jep përsëritja në krye të tri strofave të vargut-titull: “Zoti i shqiptarëve është çmendur”. Është një ndjenjë tejet e vështirë përballja me këtë gjendje, mirëpo, i tillë është realiteti që na rrethon, ku “gjithçka rrotullohet rreth boshtit të marrëzisë”, ku tradhtia moderne e paska (vëni re foljen në habitore – P. N.) të njëjtën fytyrë të shëmtuar, si para një shekulli”. Absurdi përballohet më së miri me anë të ironizimit. Prandaj poezia gjithmonë e ka përdorur këtë mjet “artilerie” të rëndë.

Ironia është figurë që  në poezinë e Kadrushit rri mu në ato “pozita strategjike”, prej nga gjuhet më së miri objektivi:

“Kryeministër i çdo shteti duhet të jetë një derr filozof”

“As prifti me Bibël as hoxha me Kuran

nuk mund të na mbrojnë më nga djalli.

Raporti i personales me universalen

Poezia e Kadrushit ka një raport interesant me botën e brendshme personale te autorit. Ai qan fatin e vendit të tij në kushtet e dhunës, por duke mos i kufizuar mesazhet e idetë vetëm tek atdheu i tij. Ndonëse imazhet e Kosovës së vuajtur janë skalitur në mënyrë specifike me të gjitha të veçantat dhe edhe po të hiqeshin toponimet e antroponimet që sugjerojnë vendlindjen e autorit, do të dihej se për cilin vend është fjala. Kosova në poezinë e Kadrushit është vendlindja e secilit njeri. Çdo njeri i planetit që ndan fatin e banorit të Kosovës, në Kosovën e poetit sheh vendlindjen e vet. Përafërsisht, diçka e ngjashme ishte thënë edhe për Lorkën; se në Grenadën e Lorkës, çdo lexues sheh vendlindjen e tij. Pra, autori niset nga e veçanta e personalja, ku i merr ngjyrat përkatëse për të shtrirë në përmasa universale idenë e dhunës, të keqes dhe të kundërvënies ndaj tyre. Në të njëjtin princip autori vepron edhe në temat tjera. Euridika duket si një vajze konkrete dhe Orfeu një djalosh konkret, mirëpo, të dashuruarit janë këtu sa për t’i kënduar të veçantës e për ta shpallur ndjenjën personale, aq edhe për t’i dhënë zë fenomenit.

P.s.

Unë poezinë e Kadrushit e njoh që kur isha student. Atëherë kur dashuria për poezinë po ndizte në mua shkëndijat e para të një zjarri krijues, që do të ndizej më vonë si një përpjekje e përhershme dhe e mundimshme për t’i përshkuar misteret e botës përmes formës më të spikatur të reagimit, që është arti.

Gjatë kësaj sprove rrugëtimi i kam takuar dy nga poetët më të mëdhenj gjakovarë: Din Mehmetin e ndjerë dhe Kadrush Radogoshin. Njëri poet i përmasave kombëtare, e tjetri i afirmuar, tash, edhe jashtë këtyre përmasave, të cilët, më në fund, pata rastin t’i kem miq të vokacionit, të idealit e të jetës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KEDS-i po vazhdon me implementimin e projekteve anembanë Kosovës. Së…