ZKA fut në listën e auditimeve të radhës “Trepçën”, KEK-un, KOSTT-in e RTK-në

05 tetor 2021 | 19:48

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar se në sezonin vijues auditues, 2021-2022, do të kryejë auditime të performancës dhe paluajtshmërisë edhe në disa institucione dhe ndërmarrje tjera publike që deri më tani nuk kanë qenë pjesë e auditimeve nga ky institucion.
Listës së auditimeve të ZKA-së tani e tutje do t’i shtohen edhe ndërmarrjet si: “Trepça”, Sh.a, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Radio Televizioni i Kosovës (RTK) dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSST), përcjell Buletini Ekonomik.
Në ndërmarrjen Trepça do të auditohet performanca financiare dhe operative e gjithë ndërmarrjes, kurse tek ndërmarrja KOSST do të bëhet auditimi i projekteve kapitale për investimet e bëra nga vet KOSST-i.

Ndërkohë, tek Korporata Energjetike e Kosovës do të bëhet auditimi i të gjitha kontratave publike nga ky institucion.
Gjithashtu, edhe në Radio Televizonin e Kosovës (RTK) do të kryhet auditimi i fondeve publike të televizionit publik me theks në aspektin e burimeve njerëzore përfshirë: stafin e rregullt, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve vendore.
Si pjesë e këtij sezoni auditues pritet të përfshihet edhe auditimi i projektit kapital “Bashkimi i qytetit” në Komunën e Ferizajt.
Sipas një komunikate për media nga ZKA-ja, qëllimi i këtyre auditimeve është të vlerësojë nëse institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë arritur rezultate të mira, dhe se shfrytëzimi i parasë publike nga transmetuesi publik është në pajtim me kornizën ligjore dhe në interes të taksapaguesve kosovarë.
Auditimet janë përzgjedhur bazuar në rëndësinë materiale dhe sociale, treguesit e problemeve dhe vlerësimet e rrezikut, interesit publik, ndikimit në zhvillimin ekonomik, prokurimin publik dhe raportimeve nga mediat.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë ka deklaruar se përmes këtyre auditimeve synohet forcimi i llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të Qeverisë dhe të entiteteve tjera të sektorit publik që fondet publike t’i shpenzojnë në mënyrë ekonomike, me efektivitet dhe efikasitet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lavdim Shala, vëllai i Hajrie Shalës, e cila u varros…