
ZKA-ja dhe Zyra Shtetërore e Auditimit të Maqedonisë së Veriut thellojnë tutje bashkëpunimin
Me 24 dhe 25 korrik 2025, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Auditimit Faruk Rrahmani dhe Zyrtarja për Dizajnim Grafik, Dafina Visoka, realizuan vizitë bilaterale në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut në Shkup.
Auditorja e Përgjithshme me bashkëpunëtorë u pritën nga homologu i saj, Maksim Acevski, Auditor i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, dhe stafi drejtues i këtij institucioni.
Takimi u fokusua në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira të auditimit, me theks të veçantë në strukturën dhe vizualizimin e raporteve të auditimit, sidomos Raportit Vjetor të Auditimit, si dhe në praktikat e auditimit të fondeve të Bashkimit Evropian.
Vizita përfshiu prezantime tematike dhe diskutime interaktive ndërmjet dyja institucioneve, me synim forcimin e bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimin e njohurive në fushën e auditimit publik.
Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, vuri në dukje rëndësinë e transparencës dhe gatishmërisë së institucioneve supreme të auditimit për ndarjen e praktikave të mira dhe qasjeve inovative në fushën e auditimit.
Ajo e vlerësoi vizitën si një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të një partneriteti të qëndrueshëm dhe nxitjes së të mësuarit të përbashkët, që do të kontribuojë në zhvillimin dhe forcimin e funksionit të auditimit, si në nivel kombëtar, ashtu edhe rajonal.
Nga ana e tij, Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të njohurive ndërmjet institucioneve më të larta të auditimit, me synim forcimin e kapaciteteve të auditimit, rritjen e transparencës dhe ndikimit të auditimeve në sektorin publik.
Kjo vizitë rikonfirmoin përkushtimin e dy institucioneve për bashkëpunim rajonal dhe ngritje të mëtejme të cilësisë së auditimit, komunikimin e qartë të rezultateve të auditimit për publikun dhe rritjen e transparencës në institucionet publike.