ZKA-ja dhuron pajisje teknologjike dhe inventar për pesë shkolla

01 qershor 2026 | 16:13

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me drejtorët e pesë institucioneve arsimore për dorëzimin e inventarit dhe pajisjeve teknologjike të liruara nga përdorimi në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me qëllim të mbështetjes së shkollave dhe procesit mësimor.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se përmes këtij aktiviteti ZKA synon t’i ndihmojë institucionet arsimore si dhe pasuritë publike të përdorën sa më mirë.

Pajisjet e dorëzuara përfshijnë pajisje teknologjike, inventar si dhe materiale të tjera për nevojat e institucioneve arsimore, në përputhje me kërkesat e tyre.

Shkollat përfituese nga kjo iniciativë janë SHML “Ahmet Gashi” në Prishtinë, SHFMU “Mehmet Gjevori” në Prishtinë, SHFMU “Naim Frashëri” në Prishtinë, SHFMU “28 Nëntori” në Bresanë të Dragashit, si dhe shkolla “Ilir Konushevci” në Llugë të Podujevës.

Sipas marrëveshjeve, pronësia e pajisjeve kalon te shkollat përfituese pas procesit të pranim-dorëzimit dhe evidentimit përkatës, ndërsa institucionet përfituese marrin përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe përdorimin e tyre sipas destinimit të përcaktuar.  “Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar që resurset publike të menaxhohen me përgjegjësi, integritet dhe efikasitet. Në këtë frymë, një pjesë e pasurisë jofinanciare po vihet në shërbim të shkollave, me bindjen se do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe funksionimit të përditshëm të institucioneve tona arsimore”, tha Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Igball Jashari është përforcimi më i ri i FC Dritës.…