ZKA-ja nxjerr në pah shkelje të shumta në menaxhimin e parasë publike

26 qershor 2026 | 14:06

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar sot rezultatet e deritanishme të auditimeve për sezonin 2025/2026, duke nxjerrë në pah një varg shkeljesh në institucionet publike, nga prokurimi dhe menaxhimi i buxhetit, deri te administrimi i pronës dhe subvencioneve.

Në konferencën për medie, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, dhe zëvendësauditori i përgjithshëm, Bezad Halilaj, kanë prezantuar të gjeturat kryesore, duke theksuar se auditimet vazhdojnë të evidentojnë dobësi të përsëritura në menaxhimin e financave publike.

Sipas Spancës, për sezonin 2025/2026 janë planifikuar 145 auditime, prej të cilave 102 tashmë janë publikuar. Deri më 30 qershor pritet të përmbyllen 88 auditime të detyrueshme të rregullsisë dhe 12 auditime të ndërmarrjeve publike, ndërsa pjesa tjetër e auditimeve të pajtueshmërisë, performancës, atyre të klasifikuara dhe auditimeve të projekteve të Bankës Botërore pritet të përfundojë sipas planit gjatë vitit.

Sipas saj, Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Kosovës pritet t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës jo më vonë se 31 gusht i vitit 2026.

Spanca ka bërë me dije se nga 94 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë janë dhënë 55 opinione të kualifikuara, katër opinione të kundërta dhe 35 opinione të pamodifikuara.

Sipas ZKA-së, problemet kryesore lidhen me pasaktësi në raportimin financiar, shkelje të procedurave të prokurimit, si dhe mangësi në menaxhimin e kontratave dhe shpenzimeve publike.

Spanca ka treguar se në ndërmarrjet publike janë regjistruar katër opinione të kundërta dhe pesë opinione të kualifikuara.

Në raportin e prezantuar sot, ZKA-ja ka evidentuar një seri shkeljesh sistematike në nivel qendror dhe lokal. Ndër to përfshihen: hyrja në obligime pa mbulesë buxhetore, kontraktimi i projekteve pa fonde të siguruara, vonesa në realizimin e investimeve kapitale, si dhe mosrespektimi i procedurave të prokurimit publik.

Po ashtu, janë evidentuar raste të pagesave me vonesë, angazhime të stafit jashtë procedurave ligjore dhe përdorim i mangët i sistemit të e-prokurimit.

Një nga pjesët më të theksuara të raportit lidhet me Komunën e Prishtinës, ku ZKA-ja ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe konkluzion të kundërt për pajtueshmërinë.

Sipas raportit, janë identifikuar klasifikime të gabuara të shpenzimeve në 52 raste, në vlerë mbi 7.7 milionë euro, mbivlerësim i detyrimeve kontingjente mbi 27 milionë euro, si dhe pasaktësi në llogaritë e arkëtueshme dhe detyrimet financiare.

ZKA-ja ka ngritur shqetësime edhe për një projekt me UNDP-në, ku janë transferuar 5.2 milionë euro parapagim, ndërsa mungon monitorimi i plotë institucional dhe transparenca mbi zbatimin e tij.

Raporti evidenton gjithashtu shkelje të shumta në procedurat e prokurimit, përfshirë gabime në vlerësimin e ofertave, mospërfshirje të pozicioneve në kontrata dhe devijime në vlerat përfundimtare të projekteve.

Po ashtu, janë konstatuar raste të lidhjes së kontratave pa mbulesë buxhetore dhe fillim të punimeve pa lejet e nevojshme ndërtimore në projekte të mëdha infrastrukturore.

Spanca ka bërë me dije se gjatë vitit 2025, pagesat përmes vendimeve gjyqësore kanë arritur në mbi 45 milionë euro. Gjithashtu, janë regjistruar vonesa në pagesa deri në 131 ditë, si dhe mungesë dokumentacioni për ndarjen e saktë të kamatave dhe shpenzimeve përmbarimore.

Në disa raste, ka thënë ajo, subvencionet janë dhënë pa procedura të hapura konkurruese, përfshirë financimin e organizatave joqeveritare, çka përbën shkelje të rregullave të transparencës dhe barazisë në financimin publik.

Në pjesën e auditimeve të performancës, zëvendësauditori i përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka thënë se janë evidentuar mangësi serioze në disa institucione publike.

Në “Termokos”, raporti flet për shpërndarje të pabarabartë të ngrohjes, sistem të dobët faturimi dhe mungesë të kapaciteteve rezervë.

Në Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) janë evidentuar probleme me sistemin elektronik, mungesë të të dhënave të plota dhe inspektime të parregullta.

Ndërsa në Universitetin e Prishtinës, sistemi SEMS është vlerësuar me mangësi në qeverisjen e teknologjisë së informacionit, sigurinë e të dhënave dhe varësinë nga operatorët e jashtëm.

Në fund, ZKA-ja u ka bërë thirrje institucioneve publike që t’i trajtojnë me seriozitet rekomandimet e auditimit, duke theksuar se ato synojnë përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lirues, dënues apo i përzier? Skenarët për aktgjykimin ndaj katër…