
ZKA-ja publikoi 11 raporte të auditimit për institucionet e pavarura
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor si dhe bazuar në Planin Vjetor të Auditimit, publikoi raportet e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë për Pasqyrat Financiare të vitit 2024 të 11 institucioneve të pavarura.
Nga këto auditime, janë dhënë 10 opinione të pamodifikuara dhe 1 opinion i modifikuar – kualifikuar si: Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) – opinion i pamodifikuar, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK) – opinion i pamodifikuar, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) – opinion i pamodifikuar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës (GJKK) – opinion i pamodifikuar, Komisioni i Pavarur për Media (KPM) – opinion i pamodifikuar, Zyra e Presidentit – opinion i pamodifikuar, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) – Opinion i pamodifikuar, Radio Televizioni i Kosovës (RTK) – opinion i pamodifikuar, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) – opinion i pamodifikuar, Fondet në Mirëbesim – opinion i pamodifikuar, si dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) – opinion i kualifikuar.
Opinioni i auditimit KPMM-së i është kualifikuar për shkak të keq deklarimeve materiale në Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV), të cilat kanë të bëjnë me keq klasifikime të shpenzimeve në kode ekonomike.
Auditimi ka vlerësuar gjithashtu edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve/operacioneve të këtyre organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, ku janë evidentuar një sërë parregullsish në menaxhimin financiar dhe të kontrollit të cilat përsëriten nga viti në vit. Ndër çështjet kryesore të identifikuara janë: Klasifikim jo adekuat i shpenzimeve; Vonesa në pagesën e faturave; Kalkulim jo i duhur i shtesave për kujdestari; Prokurime të shpeshta me vlera minimale; Angazhim i operatorëve ekonomik të papërgjegjshëm; Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre mbi afatin ligjor prej 12 muaj; Mospërdorimi i modulit në sistemin e prokurimit elektronik, për menaxhimin e kontratave dhe vlerësimit të performancës së kontraktuesve; Mosvazhdimi i sigurisë së ekzekutimit për kohëzgjatjen e kontratës; Pranimi i mallrave pa komision të pranimit; Mbivlerësim i regjistrave të pasurive në PFV si pasojë e mangësive në regjistrimin dhe mbajtjen e tyre; Funksionalizimi jo i plotë i sistemit e-pasuria; Pasaktësi në prezantimin e detyrimeve kontigjente dhe obligimeve në PVF; Mungesa e autorizimeve paraprake dhe dëshmive për vijueshmëri për orët jashtë orarit; si dhe kontrata reklamimi në kundërshtim me rregulloren.
Për të përmirësuar menaxhimin financiar dhe kontrollin në këto organizata buxhetore ZKA-ja ka dhënë një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve.
Prandaj, Auditorja e Përgjithshme ka ftuar institucionet e audituara për bashkëpunim për zbatimin e rekomandimeve me qëllim të përmirësimit të proceseve dhe menaxhimit më të mirë të financave publike.