Zonja apo tigri?

11 prill 2023 | 09:32

FRENK STOKTON 

Na ishte njëherë një mbret gjysmëbarbar, idetë e të cilit, ndonëse të avancuara dhe të begatuara falë përparimit të largët të fqinjëve latinë, ishin ende të gjëra, të zbukuruara dhe të papërcaktuara për shkak të prejardhjes së tij barbare. Ai ishte një burrë me një imagjinatë të bujshme, njëherësh me një autoritet kaq të qëndrueshëm dhe të fuqishëm saqë kur i tekej ai i shndërronte fantazitë e tij të ndryshme në fakte. Ai ishte dhënë shumë pas vetes dhe pas admirimit të vetvetes, ndaj kur i mbushej mendja për diçka, puna merrte fund. Kur çdo pjesëtar i institucioneve vendore dhe politike i realizonte dhe i kryente detyrat dhe obligimet e tij si duhet, atëherë konsiderohej se natyra e tij ishte e butë dhe tipike por, sa herë që kishte ndonjë një pengesë të vogël dhe disa prej obligimeve dhe detyrave të tij dilnin nga orbitat dhe caqet e tyre, ai ishte ende më subtil dhe më gjenial, sepse asgjë s’e pëlqente aq shumë sa t’i ndreqte prapësitë dhe shkatërronte pabarazitë dhe marrëzitë.

Midis nocioneve të huazuara përmes të cilave barbarizmi i tij u përgjysmua ishin ato që kishin të bënin me sferën publike, me ç’rast veprimet me vlera burrërore dhe të rrepta dhe mentaliteti i shtetasve të tij përsoseshin dhe kultivoheshin gjithnjë më tepër.

Por, edhe me këtë rast shpërfaqej imagjinata e tij e vrazhdë dhe e egër. Arena e mbretit u ndërtua jo që t’i jepte popullit mundësi që t’i dëgjojë rapsodët që këndojnë për gladiatorët e vdekur, as që t’ua bënte të mundur atyre që ta vëzhgojnë për­fundimin e pashmangshëm të konfliktit ndërmjet pikëpamjeve religjioze dhe fuqive të uritura, por për qëllime shumë më të larta që kanë të bëjnë me sfidat e njerëzve. Ky amfiteatër i gjerë, me galeritë e tij rrethuese, qemerët e tij misteriozë dhe kalimet e tij të padukshme, ishte një faktor nxitës i drejtësisë poetike, në të cilën krimi ndëshkohej ose virtyti shpërblehej, me dekretet e paanshme dhe të pakorruptueshme.

Kur një person akuzohej për ndonjë krim që zgjonte intere­simin e mbretit, atëherë shpallej njoftimi publik se në një ditë të caktuar për fatin e personit të akuzuar do të vendosej në arenën e mbretit, vend ky që në të vërtetë e meritonte emrin e tij dhe, ndonëse forma dhe plani i tij ishin huazuar nga kohë të mëhershme, qëllimi i tij buronte vetëm nga vullneti i mbretit, i cili, si çdo mbret i zakonshëm, nuk njihte traditë që i detyrohej më shumë se besimi që e kënaqte imagjinatën e tij në të cilën përfshihej çdo formë e përshtatur e idealizmit të tij barbar.

Kur i gjithë populli mblidhej në galeritë dhe mbreti, i rrethuar nga oborri i tij, ulej lart në fronin e tij mbretëror në njërën anë të arenës, ai e jepte sinjalin, dera nën të hapej dhe i pandehuri shfaqej në amfiteatër. Kundruall tij, në anën tjetër të hapësirës së mbyllur, ishin dy dyer, saktësisht të njëjta dhe krah për krah njëra-tjetrës. Ishte detyrë dhe privilegj i personit që gjykohej që të ecte drejt këtyre dyerve dhe ta hapte njërën prej tyre. Ai mund të hapte cilën derë që dëshironte. Ai nuk i nënshtrohej asnjë udhëzimi ose ndikimi të sipërpërmendur, të paanshëm dhe të pakorruptueshëm. Nëse ai hapte njërën derë, nga ajo dilte një tigër i uritur, më i egri dhe më mizori që mund të sigurohej, i cili menjëherë i turrej, e sulmonte dhe e shqyente atë si ndëshkim për fajin e tij. Në momentin që vendosej për krimin, kambanat pikëlluese fillonin të binin, niste vajtimi nga publiku i përzgjedhur, i vendosur në skajin e jashtëm të arenës dhe nga audienca e gjerë, me kokë të ulura dhe zemra të thyera, që rendnin ngadalë drejt shtëpive të tyre, duke vajtuar shumë, varësisht nga i dënuari që mund të ishte ose një djalë i ri dhe i pashëm ose një i moshuar dhe i respek­tuar, të cilët kishin merituar një fat kaq të kobshëm.

Por, nëse personi i akuzuar e hapte derën tjetër, atëherë nga ajo ia behte një zonjë, e cila do t’i përshtatej moshës së tij dhe statusit të tij shoqëror, një nga zonjat më të bukura dhe më hijerënda që mund ta përzgjidhte mbreti për ta shpërblyer pafajësinë e tij. Me këtë rast nuk kishte fare me rëndësi nëse i akuzuari mund të kishte tashmë një grua dhe familje, ose që ta kishte përzgjedhur tashmë fatin apo dashurinë e tij të jetës, ngaqë mbreti nuk lejonte që përzgjedhjet paraprake të akuzuarit të ndërhynin në planin e tij madhor të dënimit dhe shpërbli­mit. Këto veprime dhe procedura, si në rastin tjetër, zhvilloheshin dhe kryheshin menjëherë dhe në arenë. Një derë tjetër hapej nën mbretin, dhe një prift, i ndjekur nga një bandë koristësh, dhe valltare, duke kënduar këngë gazmore dhe solemnisht me brirët e artë, niseshin drejt vendit ku qëndronte çifti, krah për krah, dhe ku po kremtohej solemnisht dasma. Pastaj, kambanat e zinkut zinin të binin ngazëllyeshëm dhe njerëzit brohoritnin me kënaqësi, kurse njeriu i pafajshëm, i paraprirë nga fëmijët që shpërndanin lule në shtegun ku kalonte ai, e çonte nusen e tij në shtëpi.

Kjo ishte metoda gjysmë barbare e mbretit për të ndarë drejtësi. Drejtësia e tij ishte e qartë. Krimineli nuk mund ta dinte se nga cila derë do të dilte zonja; ai e hapte derën që dëshironte, pa pasur haber se çfarë do të ndodhte më pas, nëse do të pësonte apo do të martohej. Në disa raste tigri dilte nga njëra derë, ndërsa në disa raste të tjera nga një tjetër. Ndaj, vendimet e këtij gjyqi jo vetëm që nuk ishin të drejta, por ishin edhe të paracaktuara: personi i akuzuar ndëshkohej menjëherë nëse ishte fajtor ndërsa, nga ana tjetër, nëse ishte i pafajshëm, ai shpërblehej menjëherë, pavarësisht nëse pajtohej apo jo. Së këndejmi, s’kishte shpëtim nga gjykimet e arenës së mbretit.

Institucioni ishte tejet i popullarizuar sepse, kur njerëzit tuboheshin në një nga ditët e mëdha të gjykimit, ata kurrë nuk e dinin nëse gjykimi do të përfundonte me një kërdi apo me një martesë gazmore. Ky element i pasigurisë e zgjonte vëmen­djen dhe kureshtjen e të mbledhurve, që në raste të tjera nuk do të mund ta bënte. Kështu, turmat zbaviteshin dhe kënaqe­shin, kurse komuniteti nuk mund të ngrinte asnjë akuzë për padrejtësi kundër këtij plani, ngaqë a nuk e kishte personi i akuzuar tërë çështjen në duart e tij?

Mbreti gjysmëbarbar kishte një vajzë si nuri, e cila lulëzonte si fantazitë e tij më të bujshme, dhe me një shpirt të zjarrtë dhe dominues si të tijin. Ajo ishte drita e syrit të tij dhe mbreti e donte atë më shumë se gjithçka tjetër. Midis oborrtarëve të tij ishte një djalë i ri i cili e kishte gjakun e pastër, por përkatë­sinë e shtresës së ulët, karakteristikë kjo e përbashkët e të gjithë heronjve konvencionalë të dashurisë, të cilët bien në dashuri me vajzat e oborrit mbretëror. Kjo vajzë e oborrit mbretëror ishte mjaft e kënaqur me të dashurin e saj, sepse ai ishte më i bukur dhe më trim sesa të gjithë të tjerët dhe ajo e donte atë me një pasion të pashoq. Kjo lidhje dashurie vazhdoi për shumë muaj, derisa një ditë mbreti rastësisht kuptoi për këtë lidhje dashurie të bijës së tij. Ai nuk ngurroi dhe as që nuk pati dilema në lidhje me detyrën e tij. I riu u arrestua menjëherë dhe iu caktua dita e gjykimit në arenën e mbretit. Kjo, sigurisht, ishte një ngjarje tejet e rëndësishme dhe lartmadhëria e tij, si dhe tërë populli, ishin shumë të interesuar për zhvillimin e këtij gjykimi. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur një rast i tillë. Asnjëherë më parë një djalosh i rëndomtë nuk kishte guxuar ta dashuronte vajzën e mbretit. Pas disa vjetësh rastet e tilla u bënë mjaft të përhapura, ndaj më pas ato as për së afërmi nuk e kishin peshën, aktualitetin dhe rëndësinë që e kishin pasur dikur.

Ndërkohë u kërkuan tigrat në mesin e kafshëve më të egra dhe më të pamëshirshme në mbretëri, nga të cilët përzgjidhej tigri përbindësh më i egër për arenën ndërsa vajzat, të cilat i përshtateshin rangut dhe shijes së të rinjve të cilët gjykohe­shin, përzgjidheshin me kujdes nga më të bukurat dhe vëzh­goheshin dhe ruheshin nga gjyqtarët kompetentë, në mënyrë që i riu të mund të kishte një nuse që i përshtatej sa më shumë, kuptohet në rast se fati i tij nuk ishte ndryshe. S’do mend se, të gjithë e dinin se vepra për të cilën akuzohej i riu vërtet ishte kryer. Pavarësisht se si do të përfundonte rasti, i riu do të sakrifikohej, ndaj mbreti do të ndiente një kënaqësi të veçantë, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, gjë që do të përcaktonte nëse i riu kishte bërë gabim që kishte dashuruar princeshën.

Erdhi dita e gjykimit. Njerëzit nga të gjitha anët u tubuan dhe i mbushën galeritë e mëdha të arenës, ndërsa turmat, në pamundësi për të hyrë brenda, u mblodhën pranë mureve të saj të jashtme. Mbreti dhe oborri i tij ishin në vendet e tyre, kundruall dyerve, atyre portave që përcaktonin fate, e që ishin kaq të ngjashme me njëra-tjetrën.

Çdo gjë ishte e gatshme. Sinjali u dha. Një derë nën mbretin u hap dhe i dashuri i princeshës hyri në arenë. I gjatë, i bukur, i ndershëm, pamja e tij u prit me një zukamë të ulët admirimi dhe ankthi. Gjysma e audiencës nuk e kishte ditur që një i ri kaq madhështor kishte jetuar në mesin e tyre. Afër mendsh që princesha e dashuronte atë! Sa gjë e tmerrshme ishte ndodhja e tij aty!

Ndërsa të rinjtë futeshin në arenë, ai u kthye, siç ishte zakoni, t’i përkulej mbretit, ndonëse ai mendonte që nuk duhej aspak ta respektonte një mbret të tillë. Sytë e tij ishin drejtuar nga princesha, e cila ishte ulur në të djathtë të babait të saj. Sikur të mos kishte qenë një trashamani e barbarisë në natyrën e saj, ka të ngjarë që zonja nuk do të kishte qenë atje, por shpirti i saj zjarrtë dhe i tendosur nuk do ta lejonte që ajo të mungonte në një rast për të cilin ajo ishte kaq shumë e interesuar. Që nga momenti që kishte dalë dekreti se i dashuri i saj duhet të vendoste fatin e tij në arenën e mbretit, ajo nuk kishte menduar për asgjë tjetër, ditë e natë, por vetëm për këtë ngjarje të madhe dhe gjërat e ndryshme që kishin të bënin me të. Duke pasur fuqi të madhe, ndikim, dhe forcë të karakterit më shumë se çdokush që ishte ndodhur në një situate të tillë, ajo kishte bërë atë që askush tjetër nuk e kishte bërë më parë – e kishte zbuluar sekretin e dyerve. Ajo e dinte se në cilën prej dy dhomave, që qëndronin prapa atyre dyerve, qëndronte kafazi i tigrit, me pjesën e përparme të hapur dhe në të cilën priste zonja. Përmes këtyre dyerve të trasha, të mbuluara rëndë me lëkura nga brenda, ishte e pamundur që ndonjë zhurmë ose sugjerim të vinte nga brenda tek personi që duhet të afrohej për ta ngritur shulën e njërës prej tyre. Por ari dhe fuqia e vullnetit të saj ia kishin bërë të mundur princeshës që ta zbulonte sekretin.

Dhe jo vetëm që ajo e dinte se në cilën dhomë qëndronte zonja e gatshme të dilte, e cila ishte e gjitha e skuqur dhe e trondi­tur, por ajo madje e dinte se kush ishte zonja. Ishte një nga zonjat më të dashura dhe më të bukura të gjykatës që kishte përzgje­dhur si shpërblimi për të rinjtë e akuzuar, nëse do të dëshmohej i pafajshëm për krimin e synimit për ta dashuruar një vajzë të shtresës më të lartë se ai, ndaj princesha e urrente atë. Shpesh ajo e kishte parë, ose e kishte imagjinuar se e kishte parë, këtë zonjushë mahnitëse, duke e shikuar me admirim personin të cilin ajo e dashuronte dhe nganjëherë ajo mendonte se këto shikime i kishin bërë përshtypje atij dhe se madje ai i kthente këto shikime. Herë pas herë ajo i kishte parë ata duke biseduar për vetëm disa çaste, por edhe në një bisedë të shkurtër mund të thuhet shumë; mund të ketë qenë që kanë biseduar për çështje shumë të parëndësishme, por ku mund ta dinte ajo? Vajza ishte mahnitëse, por ajo kishte guxuar ta shikonte në sy të dashurin e princeshës dhe, me gjithë faktin se në damarët e saj vlonte gjaku barbar dhe i shtresës së ulët i stërgjyshërve të saj, megjithatë ajo e urrente atë grua, e cila skuqej dhe dridhej e tëra pas asaj dere të heshtur.

Kur i dashuri i saj u kthye dhe e shikoi dhe shikimi i tij u ndesh me të sajin, në vendin ku ishte uluar ajo, fytyra e saj kishte marrë një pamje më të zbehtë dhe më të bardhë se të çdokujt në oqeanin e gjerë të fytyrave të shqetësuara për të, ai e pikasi, me një perceptim aq të shpejtë, gjë që mund ta bëjnë krijesat të cilat e kanë vetëm një shpirt, ngaqë ajo e dinte se në cilën derë tulatej tigri dhe pas së cilës qëndronte zonja. Ai kishte pritur që ajo ta dinte. Ai e kuptonte natyrën e saj dhe shpirti i tij ishte i sigurt se ajo nuk do ta zinte vendi vend derisa ajo të bindej për çështjen në fjalë, që ishte fshehtësi për të gjithë shikuesit e tjerë, madje edhe për mbretin. E vetmja shpresë për të riun varej nga suksesi i princeshës në zbulimin e këtij misteri; dhe në momentin që ai e shikoi, ai e kuptoi se ajo ia kishte dalë mbanë që t’i binte në fije, meqë ai ishte i bindur se ajo do të kishte sukses.

Pastaj, pasoi shikimi i tij i shpejtë dhe i shqetësuar, që shtroi pyetjen: “Cila?” Ishte aq e qartë për të sikur të bërtiste nga vendi ku qëndronte. Nuk kishte asnjë çast për t’u humbur. Pyetja u bë shpejt e shpejt, ndaj kërkonte përgjigje të menjëhershme.

Krahu i saj i djathtë qëndronte mbi jastëkun para saj. Ajo ngriti dorën dhe bëri një lëvizje të lehtë dhe të shpejtë djathtas. Askush përveç të dashurit të saj nuk e diktoi. Vetëm shikimi i saj ishte përqendruar te njeriu në arenë.

Ai u kthye dhe me hapa të rrëmbyeshme eci nëpër hapësirën e zbrazët. Të gjitha zemrat pushuan së rrahuri, çdo frymëmarrje u ndal dhe të gjithë sytë ishin fiksuar në mbi atë njeri. Pa as më të voglin ngurrim, ai shkoi te dera e djathtë dhe e hapi.

Tani enigma e tregimit është kjo: A doli tigri apo zonja nga dera?

Sa më tepër përsiatim mbi këtë pyetje, aq më e vështirë është që të përgjigjemi. E kjo kërkon njohjen e zemrës njerëzore që na shpie drejt labirinteve plot pasione, prej nga është vështirë të gjesh rrugëdaljen. Ju ftoj të mendoni lidhur me këtë çështje, lexues të dashur, jo sikur të ishte një vendim që varet nga ju, por nga ajo princesha gjaknxehtë, gjysmëbar­bare dhe me shpirt të trazuar dhe të dëshpëruar nga xhelozia. Ajo e kishte humbur atë, por çështja është se kujt do t’i takonte ai?

Sa shpesh në zhgjëndërr dhe në ëndërr ajo kishte menduar për tmerrin dhe lemerinë e madhe dhe e kishte mbuluar fytyrën me duar ndërsa mendonte për të dashurin e saj, duke e hapur derën në anën tjetër të së cilës e prisnin kërcëllimat e dhëmbëve vdekjeprurëse të tigrit!

Por, sa shpesh e kishte parë atë në derën tjetër! Sa në rrëfimet e saj të hidhura ajo kishte skërmitur dhëmbët dhe shkulur flokët e saj, kur ajo pa se me çfarë kënaqësie dhe dalldie ia hapi ai derën zonjës! Si i ishte djegur shpirti nga agonia kur e kishte parë atë të nxitonte për të takuar atë grua, me faqe të skuqura dhe shkëlqimin e syve triumfues; kur i kishte dëgjuar klithmat gazmore nga turma dhe zhurmën e kambanave të lumtura; kur e pa priftin, me pasuesit e tij të lumtur, duke iu afruar çiftit për t’i shpallur burrë e grua para syve të saj; dhe kur i kishte parë ata të largoheshin së toku në shtegun me lule, të ndjekura nga britmat e jashtëzakonshme të turmës gazmore, në të cilën një klithmë e saj e dëshpëruar pothuajse nuk dëgjohej dhe në fund u mbyt!

A nuk do të ishte më mirë që ai të vdiste menjëherë dhe të shkonte ta priste atë në amshimin e bekuar të ardhmërisë gjysmë barbare?

Por, në vend të këtyre u pa tigri i mynxyrshëm, u dëgjuan klithmat dhe u pikas gjaku!

Vendimi i saj ishte kuptuar menjëherë, por ai ishte marrë pas shumë hamendësimeve, ndërdymjeve dhe debateve të mundimshme dhe të ankthshme. Ajo e kishte ditur që do ta pyesnin, ajo kishte vendosur se çfarë do të përgjigjej dhe, pa mëdyshjen më të vogël, ajo e kishte lëvizur dorën në të djathtë.

Çështja e vendimit të saj është një gjë që nuk mund të kuptohet lehtë dhe unë nuk jam personi i vetëm që duhet të përgjigjet. Ndaj, zgjidhjen e enigmës po ju lë juve: Kush doli nga dera e hapur, zonja, apo tigri?

Përktheu: Abdullah Karjagdiu. Marrë nga revista “Akademia”

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MARI HENRI BEL (STENDAL)  (përktheu nga origjinali (nga frëngjishtja) Verjon…