Zotëri Marty luftëtarët e UÇK-së nuk ishin UFO, por bijtë më të denjë të popullit shqiptar (39)

30 gusht 14:02

Shkruan: Kudusi LAMA

Dhe që në përfundim të luftës UÇK-ja do ta merrte kontrollin e vendit, konsiderohet plotësisht normale, anormale do të ishte sikur ajo t’ua linte atë serbëve sipas dëshirës që keni ju. Por atë kontroll nuk kishin pse e merrnin që të “mund të kryenin trafikime dhe veprimtari të ndryshme kontrabande”, pasi kishin luftuar për liri e jo për banditizëm, siç keni dëshirë të jetë e vërtetë ju dhe serbët. Sipas idesë tuaj unë e kuptoj shumë mirë në gjithë përmbajtjen e raportit, se në Kosovë nuk mund të ketë siguri pa serbët. Këtë e kanë thënë serbët vazhdimisht, nuk jeni ju i pari dhe nuk po thoni diçka të re e të panjohur për shqiptarët.

Dhe të dini mirë, se në vitin 1999, pas përfundimit të luftës, UÇK-ja e kontrollonte gjithë Kosovën me të drejtën e qenies ushtri shqiptare, në emër të popullit shqiptar, pasi për atë e kishte bërë luftën. Ajo nuk kontrollonte disa “fshatra, pjesë rruge, shpesh edhe disa godina”, siç shpreheni ju, por gjithë hapësirën që ishte brenda kufijve të saj. Por në emër të lirisë e të sigurisë së atdheut e të kombit, jo për të qenë në gjendje “të ndërmerrnin veprimtari të kriminalitetit të organizuar praktikisht sipas dëshirës së tyre”, siç shpreheni ju në pikën 85 të raportit, pasi ata i kishin dhënë provat me gjakun e tyre dhe populli kishte besim të plotë në drejtësinë dhe lirinë që u kishte sjellë UÇK-ja. Dhe të jeni i sigurt se UÇK-ja i ka dhënë një ndihmë të madhe edhe KFOR-it edhe UNMIK-ut, për të marrë drejtimin dhe vendosur kontrollin në Kosovë. E ata kur u vendosën në Kosovë gjithkund ku kanë shkuar, kanë gjetur luftëtarët e UÇK-së dhe gjithçka në rregull. Por korrigjoni shprehjen e emërtimit të UÇK-së fraksione, grupe, kriminele e të tjera, pasi atë fazë fyerjesh e akuzash ajo e ka kaluar në vitet 1996 – 1997. Më vonë u vlerësua se nuk qëndronin akuza e fyerje të tilla dhe bota e mori dhe e bëri mashkë qytetare të botës moderne.

Ndërsa Thaçi nuk është e vërtetë se “u vet-shpall Kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës”, siç e cilësoni në pikën 86 të raportit. Ai zotëri e mori këtë detyrë me një marrëveshje politike kombëtare dhe me pajtimin e plotë ndërkombëtar. Pse nuk i keni pyetur pjesëmarrësit në Konferencën e Rambujes? Nëse gjithçka që nuk ka kaluar nëpër duart e dyert tuaja e të Serbisë quhet e paqenë, mund të shpreheni si të doni, por mund të shpreheni vetëm për vete, ndoshta po ju pranuan, mund të shpreheni edhe për kombin tuaj, por nuk keni asnjë të drejtë të tentoni të tjetërsoni historinë e kombit shqiptar. Dhe të jeni i sigurt, që në ato momente Thaçi nuk kishte asnjë rival që duhej likuiduar siç deklaroni ju. Të gjithë ata që ishin në skenën politike të Kosovës edhe në kohën e Millosheviqit, janë edhe sot në skenën politike, pa asnjë shqetësim.

Dhe të jeni i bindur se po të kërkonte apo dëshironte të bënte atë që thoni ju, mund t’i kishte likuiduar se ishte komandant ushtrie. Por komandant ushtrie ishte për të çliruar vendin e jo për të vrarë njerëz rrugëve të atdheut të çliruar me shumë mundë. Po ku kupton ti zotëri nga qenia i pushtuar e çlirimi prej robërie. Ashtu si nuk keni asnjë njohje për shqiptarët dhe vlerat e tyre për mbrojtjen e jetës.

Shikoni çfarë thoni në pikën 87: “Kur policia serbe dhe forcat paraushtarake u tërhoqën në qershor 1999, njësitë e UÇK-së të vendosura në Veri të Shqipërisë u përhapën në Kosovë me objektivin e shpallur për të “siguruar territorin”, por edhe të nxitur nga ana tjetër nga një ndjenjë e papërmbajtshme zemërimi e, le ta themi hapur, hakmarrjeje ndaj të gjithë atyre që dyshoheshin prej tyre se kishin marrë pjesë në shtypjen e popullsive të etnisë shqiptare”. Duke bërë këtë deklaratë, ju kërkoni të krijoni opinionin që në Kosovë nuk ka pasur UÇK, se ajo ka qenë në Shqipëri dhe se vetëm pas përfundimit të goditjeve të NATO-s, ajo është futur në Kosovë. Po mirë more zotëri, po si do ta bindësh popullin e Kosovës për këtë që thua? Apo nuk marrin vesh gjë ata, pasi raportin e keni për Këshillin e Europës.

Dhe sa mirë që paskan ikur forcat ushtarake, policore edhe paraushtarake serbe, se rrezik nuk do të ishin futur fare në Kosovë forcat e UÇK-së. Sa shakaxhi jeni zotëri Marty. Forcat ushtarake, policore edhe paraushtarake serbe, ikën nga sytë këmbët, se për ndryshe do të kishin vdekur. Këtë ta keni të qartë. Luftëtarët e UÇK-së nuk ishin sportistë, por luftëtarë që kishin synim lirinë ose rënien në altarin e saj.

Ama sa për urrejtje, forcat e UÇK-së në përfundim të luftës nuk kanë pasur fare, pasi gjithë urrejtjen e tyre të mbledhur në shpirtin e popullit shqiptar të pushtuar prej një shekulli luftëtarët e UÇK-së e kanë shfryrë kundër forcave ushtarake, policore edhe paraushtarake serbe për 2 vjet pa u ndalur dhe atë detyrë e kanë kryer mirë. Ndaj nuk kanë pasur nevojë për asnjë lloj hakmarrjeje, se po të kishin nevojë të tillë, do të kishit evidencuar shtëpi serbe të djegura, fëmijë, gra e pleq serb të vrarë. Por nuk keni gjetur asnjë se shqiptarët nuk janë kategoria e juaj dhe e serbëve, të cilët kanë vrarë mbi 12 mijë njerëz të pa armatosur të të gjitha moshave deri edhe fëmijë të porsa lindur apo në barkun e nënës. Ndërsa bashkëpunëtorët shqiptarë që kanë marrë armët e armikut, kanë veshur uniformën e armikut dhe janë rreshtuar në formacionet e armikut për të vrarë shqiptarë, të jeni i sigurt se kanë shkuar me serbët, atë ditë që kanë ikur ata prej Kosove, për të mos u kthyer më kurrë. Megjithëse e di se ju akoma ëndërroni se mund të kthehen, ashtu siç ëndërrojnë serbët.

Po habitem me “faktin”, që paskeni zbuluar se në Shqipëri në periudhën e Luftës Çlirimtare të Kosovës, kishte “mungesë të rendit publik” dhe “paaftësi të policisë dhe shërbimeve informative shqiptare për shtypjen e banditizmit mafioz, të organizuar e të ushqyer nga disa njësi të UÇK-së që ishin vendosur në Veri dhe në Qendër të Shqipërisë”. Mirë t’ua bëni atyre, përderisa pranojnë që ju të flisni si të keni dëshirë, pa iu kërkuar llogari ndërkombëtarisht. Ata vërtetë duhen konsideruar të paaftë. Por unë di se kanë qenë në detyra dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësia, pasi kam qenë aty dhe di mirë se çfarë ka ndodhur në atë terren gjatë luftës 1997 – 1999. Por siç duket qeveria e Tiranës kur Ju keni bërë deklaratat e ndyra, mendon se meqenëse kanë qenë në pushtet kundërshtarët e tyre politikë, shpifjet tuaja mund t’u shërbenin për disa vota më shumë sepse do të shfrytëzonin shpifjet tuaja si trampolinë.

Ashtu sikurse ka prova që të gjithë luftëtarët që kanë kaluar në rrugën për në front nëpër veriun e malësisë së Shqipërisë kanë qenë me shumë kulturë dhe shumë të komunikueshëm. Askush prej tyre nuk ka marrë edhe ujë në çezmë pa marrë leje. Dhe kjo nuk ishte iniciativë personale e luftëtarëve, por ishte direktivë e dhënë që nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, sepse kërkohej nga çdo luftëtar të fitonte ngado që të vepronte simpatinë dhe dashamirësinë e popullit të zonës, sepse zotëri Marty luftëtarët e UÇK-së nuk ishin UFO, por bijtë më të denjë të popullit shqiptar, të cilët për hir të dashurisë për atë popull, kishin marrë armët e kishin dalë në male të luftonin kuçedrën serbe. Se po të ishte për të shitur drogë do të vinin të bënin një kontratë me ty atje në Zvicër e nga i keni ju ato territoret e trafikimit.

Në pikën 96, ju deklaroni evidentimin: “Vendet e burgimit – për të cilat morëm dëshmi të drejtpërdrejta nga burimet tona, të mbështetura nga elemente të mbledhura prej gazetarësh investigues (disa datojnë që prej dhjetë vjetësh a më shumë), dhe më pranë në kohë, të mbështetura nga përpjekjet e hetuesve dhe prokurorëve të EULEX-it – përfshijnë: Cahan, Kukës (rrethina), Bicaj, Burrel, Rripe (fshat në jug-perëndim të Burrelit në rrethin e Matit), Durrës, dhe ndoshta më i rëndësishmi nga të gjithë në kuadrin e mandatit tonë të veçantë, Fushë-Kruja”.

Se çfarë paskan kërkuar luftëtarët me burgje në Burrel, Durrës e Fushë Krujë, atë gjejeni meqë i keni hyrë kësaj pune. Unë nuk kam njohje për ato zona se nuk kanë qenë nën juridiksionin e detyrës dhe përgjegjësisë time. Por për në Cahan, Kukës dhe Bicaj, ju po mashtroni, pasi në ato vende nuk ishin të nevojshme burgjet. Pa folur që në Bicaj as që kanë shkuar ndonjëherë luftëtarët se nuk i lidhte as rruga. Or zotëri, po ata janë vende të banuara more. Si mund të ngrihen burgje ilegale në mes të morisë së një populli të tërë e të intensitetit të lëvizjes së luftëtarëve? Ju jeni i pandalshëm për mbrapshti zotëri.

Për ato qendra stërvitje dhe furnizimi që ka pasur UÇK-ja në territorin e Shqipërisë është e saktë që nuk kanë qenë të pavarura  e autonome, siç thoni ju në pikën 98, kështu që vërtetë nuk guxonte kush të ndërmerrte asnjë veprim jashtë planit të veprimeve luftarake të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pasi gjithë veprimtaria e tyre duhej ushtruar sipas misioneve që ai shtab u kishte caktuar atyre qendrave. Dhe vërtetë ato kishin komandantë shumë të devotshëm, të gatshëm për të siguruar një disiplinë dhe ndershmëri për t’u pasur zili. Por civilë në ato qendra mund të vinin vetëm ata që kishin vendosur të vishnin uniformën e luftëtarit të UÇK-së dhe për të shkuar në front.

Ndërsa mund t’iu them me siguri të plotë, se pas datës 23 qershor 1999, në rajonin e Kukësit, e për rrjedhojë edhe në vendet që emërtoni ju, si në Kukës, Bicaj e Cahan, nuk ka pasur asnjë luftëtar të UÇK-së se të gjithë ishin futur në Kosovë për të kryer detyrat që u kërkoheshin në funksionet e tyre në radhët e UÇK-së nga komandat përkatëse. Për këtë mund t’iu them me siguri se gjithë zona është kontrolluar me kujdes të shtuar, jo për burgje, siç thoni ju, por që të mos kishte mbetur diku ndonjë armë, municion etj, që mund të gjendeshin nga qytetarët, të cilët mund të dëmtoheshin prej tyre. Çdo rajon e rrugë ku kanë qëndruar përkohësisht apo kanë kaluar luftëtarë të UÇK-së është kontrolluar nga specialistë të të gjitha armëve e shërbimeve ushtarake shqiptare, sepse dihet që në luftë mund të ndodhë që të mbeten edhe ndonjë armë apo municione të harruara apo nga pakujdesia, gjë që ndodh e ka ndodhur gjithnjë në luftëra.

Në pikën 104, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, ju deklaroni: “Kjo politikë do jetë zbatuar me forcë në territor shqiptar nga elementë të fuqishëm të shërbimeve informative kombëtare, midis të cilëve SHIK (i shndërruar në SHISH) dhe nga shërbimet informative të ushtrisë, disa anëtarë të së cilës do kenë marrë pjesë madje edhe gjatë marrjes në pyetje. Frymëzuesi kryesor i kësaj politike duhet të ketë qenë Kadri Veseli (alias Luli), një personazh-kyç i “Grupit të Drenicës””. Nuk e kuptoj ku e merrni gjithë këtë guxim zotëri, sa të përgojoni me hamendje një shtet të tërë me gjithë organet e tij të sigurisë, që nuk më duket normale dhe jam i habitur se si u është pranuar në Këshillin e Europës kjo thashethemnajë. Sa për dijeninë tuaj, shërbimet që ju i merrni nëpër gojë, nuk kanë pasur kohë të merren me burgjet tuaja imagjinare, pasi kanë pasur mjaft punë në detyrat e tyre, kur siguria e shtetit ishte e kërcënuar seriozisht nga agresioni kundërshqiptar serbë e grekë.

Ndërsa Kadri Veselin që e përmendi ju sikur po përmendni një ushtar, duhet t’iu sqaroj se ai ka qenë funksionar i rëndësishëm në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ishte në drejtim të veprimtarisë që kishte për detyrë të kryente. Ai nuk kishte kohë të sillej nëpër Shqipëri të merrte në pyetje të “burgosur”, të cilët në imagjinatën tuaj kanë qenë në Kukës a diku tjetër në Republikën e Shqipërisë. Jo zotëri, ai ka qenë në Kosovë se atje ishte vendi i tij. Dhe kishte detyra shumë më të mëdha se sa të merrte në pyetje një qytetar qoftë edhe armik i betuar i çlirimit të Kosovës. Por ju duhet të përgojoni emrat e drejtuesve të UÇK-së dhe nuk keni fare kornizë etike prej politikani apo diplomati funksione në të cilat paguheni.

Ndërsa sa i përket të ashtuquajturit “Grupi i Drenicës”, mund t’iu them se në prill të vitit 1999, kam qenë prezent kur ka ardhur kolona e të shpërngulurve nga Drenica, në të cilën kishte vetëm gra, fëmijë e pleq, të gjithë në këmbë, të gjithë këmbë zbathur ose me ndonjë vjetërsirë që e tërhiqnin zvarrë, të gjithë të zbehtë, duke mbajtur njëri-tjetrin për dore, disa me ndonjë trastë të vogël në dorë dhe asgjë tjetër. Asnjë nuk qante, të gjithë shikonin drejtë dhe serioz, asnjë nuk ankohej, asnjë nuk kërkonte ndihmë. Zotëri, kolonë të shpërngulurish më madhështore në vuajtjet e saj nuk kam parë as kam dëgjuar se mund të ketë. Këto mund të quhen Grupi i Drenicës, pa grupe të tjera nuk ka pasur, sepse me gjithë dëshirën tënde e shpifjet që keni ndërtuar, drenicasit e tjerë kanë qenë në frontin e luftës kundër pushtuesit, në përbërje të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Termi “Grupi i Drenicës” është një shpikje e juaja, që nuk besoj se do të mbijetojë si etiketim, pasi është etiketim fals. Drenica nuk ka pasur një grup në luftë, ajo, si edhe e gjithë Kosova ka qenë e gjitha në luftë për ta shporrur njëherë e përgjithmonë kolonizatorin shekullor. (Vijon)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar zbardhjen…