ZPS: Seancat në Speciale do të jenë të mbyllura – prokurorët do të paraqesin përmbledhje të provave

29 janar 2024 | 10:25

Gjykata Speciale, ka bërë të ditur se edhe gjatë kësaj jave seancat ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të jenë të mbyllura.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett.

“Shumica e seancave gjatë kësaj jave do të jenë në seancë private. Natyrisht, prokurorët do të paraqesin përmbledhje të provave të paraqitura në formë të shkruar”, ka thënë Bennett për AP.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës.

Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, do të vazhdojë edhe këtë të hënë (29 janar).

Seancat tjera në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së priten të mbahen të martën dhe të mërkurën (30 dhe 31 janar), duke e çuar në 10 numrin e seancave gjyqësore këtë muaj.

Ndërkaq, në shkurt pritet të mbahen 7 seanca.

Javën e kaluar dëshmuan dy dëshmitarë, shqiptarë të Kosovës: njëri prej tyre dëshmoi për raportet mes UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), kurse tjetri për zhdukjen e një familjari në fshatin Drenoc të Komunës së Prishtinës gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë.

Nga mbi 300 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS) në total, deri më tash janë dëgjuar 42 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun – ndërsa këtë të hënë pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të 43-të në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.

Dëshmitarët janë dëgjuar kryesisht në seanca private, përveç dëshmisë së ish-eprorëve të UÇK-së – Rrustem Mustafa dhe Sadik Halitjaha – dëshmisë së Francis Ladwidge, oficer i shërbimeve të inteligjencës britanike, dëshmisë së ish-zyrtares së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe dëshmisë së Dragica Bozhaniç, viktimë e pretenduar lufte.

Gjithashtu edhe hulumtuesi i lartë në organizatën ndërkombëtare “Human Rights Watch (HRW)”, Fred Abrahams, dëshmoi në seancë të hapur për publikun mbi krimet e pretenduara të luftës nga ish-eprorët e UÇK-së, gjë që shkaktoi një valë të reagimeve në lidhje me kredibilitetin e Gjykatës Speciale, i cili pranoi edhe disa gabime në raportin që hartoi gjatë asaj periudhe.

Në ndërkohë u parashtruan edhe disa masa kufizuese për ndryshimin e kushteve të paraburgimit ndaj katër të akuzuarve.

ZPS-ja pretendoi se ish-drejtuesit e UÇK-së kishin shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke e shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luiz Ejlli, në një nga koncertet e tij në Kanada…