ZRrE-ja i bindet vendimit të Gjykatës Supreme për liberalizimin e tregut të energjisë
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka vendosur të zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme, e cila e ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar dy nene të Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Në mbledhjen e mbajtur të enjten, nga ZRrE-ja është thënë se vendimi i Supremes ka karakter deklarativ dhe konstativ, dhe se nuk krijon apo shfuqizon të drejta apo detyrime të reja për konsumatorët apo pjesëmarrësit në treg.
Ushtruesi i detyrës në Departamentin Ligjor në ZRrE, Ymeridin Misini, ka thënë se Udhëzuesi i shfuqizuar, sipas gjykatës, nuk ka efekt retroaktiv dhe nuk ndikon në marrëdhëniet juridike të bazuara në legjislacionin aktual.
“Gjykata Supreme me aktgjykim ka bërë interpretim të detyrueshëm të nenit 37, në lidhje me nenin 3, paragrafi 1.72 të Ligjit për energjinë elektrike, në përputhje me nenin 3, duke e sqaruar se e drejta për shërbime universale u takon konsumatorëve familjarë dhe vetëm ndërmarrjeve të vogla që i plotësojnë kriteret ligjore për numrin e punonjësve dhe qarkullimin vjetor. ZRrE-ja vazhdon zbatimin e ligjit për energjinë elektrike, ashtu si është interpretuar nga Gjykata Supreme, pa zgjerim dhe pa përkufizim përtej kritereve të përcaktuara. Ky vendim është deklarativ dhe konstatues të natyrës, dhe nuk krijon, ndryshon apo shfuqizon të drejta apo detyrime të reja për konsumatorët apo për pjesëmarrësit në treg. Ky vendim nuk ka efekt retroaktiv dhe nuk ndikon në vlefshmërinë e marrëdhënieve juridike të detyruara bazuar në legjislacionin në fuqi. Ky konstatim bëhet vetëm për qëllim të qartësimit institucional dhe transparencës juridike pa krijuar efekte të reja normative”, ka thënë ai.
Ndërsa kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se vendimi me 5 vota për, asnjë kundër konfirmon zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme për udhëzuesin, i cili ishte shfuqizuar që nga viti 2021, por tani është konstatuar edhe përmes pezullimit të dy neneve specifike.
“Konstatoj se me 5 vota për dhe asnjë kundër, ky vendim konfirmon zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme sa i përket udhëzuesit, i cili ishte shfuqizuar që nga viti 2021, por është konstatuar nga Gjykata Supreme me pezullimin e këtyre dy neneve të këtij udhëzuesi”, ka thënë ai.
Vendimi i Gjykatës Supreme vjen pas padisë së Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Me këtë vendim, Supremja ka shpallur të paligjshëm nenin 8 të Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, të datës 18 janar 2017, raporton “EO”.
Po ashtu ishte shpallur i paligjshëm dhe ishte shfuqizuar neni 2 i Udhëzuesit për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, i ndryshuar dhe plotësuar më datë 13 qershor 2018 dhe më 30 tetor 2018, i miratuar më 28 mars 2019.



