ZRrE-ja sqaron ‘borxhin e keq’: Kërkesa e KESCO-s për rritje në 5 për qind është e papranueshme

20 janar 2026 | 13:10

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se me qëllim të informimit të saktë të publikut, ka dalë me një reagim për të sqaruar kuptimin dhe zbatimin e borxhit të keq në kuadër të sistemit tarifor.

“Borxhi i keq është një element i rregulluar qartë në Rregullën për Vendosjen e të Hyrave të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe zbatohet prej vitesh në të gjitha proceset tarifore, për të siguruar që tarifat të reflektojnë kosto reale dhe të verifikuara, si dhe të mbrojnë konsumatorët që paguajnë rregullisht. Borxh i keq konsiderohet vetëm ajo pjesë e detyrimit financiar, që edhe pas ndjekjes së të gjitha procedurave ligjore dhe pas shterimit të të gjithë mekanizmave ligjorë te arketimit, mbetet realisht i paarkëtueshem”, ka njoftuar ZRrE-ja.

ZRrE-ja ka bërë me dije se nuk i pranon automatikisht kërkesat e operatorit sepse “rregullimi tarifor nuk ndërtohet mbi supozime, por mbi fakte të verifikuara dhe çdo kërkesë i nënshtrohet analizës dhe vlerësimit profesionale”.

“Prandaj kërkesa nga KESCO për rritjen e borxhit të keq në rreth 5% është e papranueshme për ZRRE”, ka njoftuar ZRrE-ja.

Në bazë të projeksioneve te fundit, ZRrE-ja ka theksuar se të dhënat tregojnë përmirësim të arkëtimit pas pandemisë dhe mbi këtë bazë “dhe duke u bazuar në studime qe i kane paraprirë kësaj, ZRrE-ja ka vendosur që niveli i borxhit të keq të jetë 1.8 për qind për vitin 2025, 1.6 për qind  për vitin 2026 dhe 1.4 për qind për vitin 2027”.

Më tutje, ZRrE-ja ka “siguruar qytetarët se asnjë vendim tarifor nuk merret për të mbrojtur mospagesën, por për të garantuar stabilitet të furnizimit”.

Të gjitha proceset rregullatore të ZRRE-së janë publike dhe transparente, ka njoftuar kjo zyre.

“Çdo vlerësim bazohet në raporte profesionale të publikuara për konsultim dhe vendimmarrja përfundimtare merret nga Bordi i ZRrE-së vetëm pas shqyrtimit të komenteve të të gjitha palëve të interesit. Kjo garanton vendime të bazuara, të ligjshme dhe në interes të përgjithshëm publik”, ka njoftuar ZRrE-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Supreme ka dhënë detaje shtesë lidhur me procedurat e…