ZRrE-ja: Tarifat e energjisë mbeten të pandryshuara deri në vendimin përfundimtar

30 mars 2026 | 11:36

Janë bërë dy muaj që kur tre operatorët kryesorë të sektorit energjetik në vend, KEDS, KESCO dhe KOSTT  kanë dorëzuar kërkesat për rritjen e tarifave të energjisë elektrike në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Këto kompani kanë kërkuar një rritje prej mbi 20 për qind.

Por, ani pse jemi vetëm edhe dy ditë nga data një prill kur ZRrE-ja, shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike pikërisht me këtë datë, kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, ka bërë me dije për “Ekonomia Online” se tarifat aktuale do të mbeten në fuqi deri në publikimin e raportit përfundimtar dhe përmbylljen e procesit të konsultimit publik.

Ai ka thënë se ende nuk ka asnjë vendim derisa të publikohet raporti përfundimtar.

“Jo, s’ka ende. Po presim gjatë javës me i publiku raportet. Tani janë nja dy javë ditë diskutim publik, atëherë mundemi me pa qysh me e nxjerrë qëndrimin apo diçka”, ka thënë ai.

Fejzullahu ka thënë se pas publikimit të raportit do të jenë shtesë edhe 14 ditë dhe pas ankesave ose komenteve do të ketë një vendim.

“Jo, jo, jo. Njëherë duhet me dalë raporti.  Tani është me dalë raporti në konsultim publik, dy javë ditë është obligim me ligj. Edhe tani pas nja dy javë, nëse ka komente të palëve, tani merret vendimi”, ka thënë ai.

Fejzullahu ka theksuar se tarifat do të mbesin të njëjta edhe pas një prillit, pasi që sipas tij.

“Për këtë edhe raporti i stafit del tash dhe e vlerësojnë ata. Pas këtij raporti tani duhet edhe komentet e palëve, tek është vendimi ma vonë. Në këtë fazë ende është në shqyrtim të departamentet. Ne nuk e kemi, qysh me thënë, as qasje në këtë fazë. Po, domethënë më 1 prill, deri atëherë mbesin tarifat që janë ekzistuese”, ka thënë Fejzullahu.

Ndërkohë, KESCO ka propozuar një rritje mbi 20 për qind për vitin 2026, duke e arsyetuar këtë me rritjen e kostove operative dhe nevojën për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kylie Jenner ka ndarë me ndjekësit disa fotografi të reja…