
“ZRRE po legalizon shkeljet”, Shala: Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur ekonominë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e quan gabim të madh juridik dhe ekonomik aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për refuzimin e kërkesës për vendosjen e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të publikuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) më 12 mars 2025.
PDK-ja është njëra ndër parashtrueset e kërkesës për masën e sigurisë, përveç Odës Ekonomike të Kosovës dhe (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK).
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala në një prononcim për KosovaPress tha se si parashtrues të kërkesës janë të bindur se ZRRE-ja ka bërë shkelje flagrante të legjislacionit në fuqi, duke shkaktuar dëm të madh ekonomik.
“Ne kemi qenë parashtrues të kërkesës dhe kemi qenë e jemi të bindur që Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka bërë shkelje flagrante të legjislacionit në fuqi, por njëkohësisht edhe dëm të madh ekonomik, ekonomisë së vendit dhe të gjitha ndërmarrjeve që tashmë po i obligon dhunshëm dhe jashtë masës ligjore për të dalë në tregun e lirë. Ne kemi e parë vendimin, pra nuk është vendosur masa e përkohshme dhe presim që vendimi meritor do të merret në favor të bizneseve, në favor të ekonomisë, në favor të kërkesës tonë”, tha Shala.
Sot, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njoftoi se ka pranuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë në dy raste të ndara, me të cilat është refuzuar kërkesa për vendosjen e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të publikuar nga ZRRE më 12 mars 2025.
Lidhur me këtë, Shala konsideroi se është vërë gabim i madh juridik dhe ekonomik, sepse siç tha ai në këtë mënyrë po favorizohet dhe po legalizohet shkelja e legjislacionit në fuqi.
Ai tha se pas refuzimit të kësaj kërkese edhe më tutje do të shfrytëzohen të gjitha mjetet e mundshme juridike dhe demokratike në shërbim të mbarëvajtjes së ekonomisë.
“Konsideroj që është bërë gabim i madh edhe juridik por edhe dëm i madh ekonomik vendit sepse kështu po e favorizon dhe po legalizon shkeljen e legjislacionit në fuqi për sektorë të caktuar, veçanërisht në pjesën e ZRRE-së. Me bindjen e plotë që vendimi meritor, që në shqyrtim e sipër do ta përmirësojë këtë gabim dhe do të jetë në favor të ekonomisë dhe kërkesës legale që ne e kemi parashtruar…Të gjitha mjetet e mundshme juridike dhe demokratike do të shfrytëzohen në shërbim të mbarëvajtjes së ekonomisë dhe në shërbim të gjithë qytetarëve të venit”, potencoi Shala.
Pas njoftimit të ZRRE-së, përveç PDK-së, ka reaguar edhe OEK, e cila thekson se Shoqata e Prodhuesve të Kosovës njofton se Gjykata Themelore në Prishtinë përkatësisht Departamenti për Çështje Administrative ka refuzuar masën e sigurisë për pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) në rastin e padisë së paraqitur në formë grupore, me arsyetimin se legjislacioni aktual nuk lejon mbrojtjen ligjore në mënyrë kolektive.
“Kjo ka qenë padia e pare grupore e ushtruar nga Shoqata në emër të gjithë prodhuesve vendor. Ashtu siç ka deklaruar edhe Kryetari Rafuna, për arsye të legjislacionit, Oda Ekonomike e Kosovës nuk ka ushtruar padi në emër të 1300 bizneseve, por me hapjen e zyrës së re ligjore në kuadër të OEK, është duke i ndihmuar bizneset në përpilimin e padive, një nga një, në mënyrë individuale”, thuhet në reagim.
Për anulimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen në tregun e lirë të energjisë, KosovaPress ditë më parë ka siguruar disa vendime që janë marrë nga Gjykata Komerciale e Kosovës, Departamenti për Çështje Administrative më 25 qershor 2025.
Ankesa në Gjykatë ishte dorëzuar nga avokati Agron Selimaj nga Prishtina.
KosovaPress ka siguruar edhe aktvendimin e Gjykatës, në të cilën thuhet se sipas aktvendimit të datës 25 qershor 2025, Gjykata Komerciale, Departamenti për Çështje Administrative, ku thuhet se aprovohet si e bazuar propozimi i paditësit për caktimin e masës së sigurisë për pezullimin e ekzekutimit të njoftimit.
Më tej në këtë aktvendim thuhet se pezullohet ekzekutimi i njoftimit të datës 03.06.2025 për mos lejimin e paditësit, propozuesit të shtetëzoj furnizimin nga shërbimi universal, i nxjerr nga zyra e ZRRE, derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë qëndron fuqishëm prapa deklarimeve të saj se procesi i liberalizimit është shoqëruar me një sërë shkeljesh procedurale dhe substanciale, të cilat janë evidentuar edhe nga institucionet evropiane.
Bizneset e Kosovës kishin organizuar protesta kundër vendimit të ZRrE, pasi sipas përfaqësuesve të bizneseve një veprim i tillë do të krijonte një ekonomi të rënduar në Kosovë.