ZRRE propozon që këtë vit të mos ketë rritje të tarifave të rrymës

11 prill 2026 | 08:41

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) ka propozuar që të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Më 10 prill, ZRRE-ja publikoi raportet konsultative për të hyrat e lejuara maksimale për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal (KESCO). ftoi palët e interesuara që të shqyrtojë komentet e saj deri më 24 prill.

ZRRE-ja tha se për të ruajtur qëndrueshmërinë e sigurisë së furnizimit dhe për të shmangur rritjen e tarifave të energjisë këtë vit tarifor, që vijnë si pasojë e mungesës së prodhimit vendor dhe rritjes së importit, propozon një mekanizëm profilizimi (shpërndarje) të kostove për prodhimin e energjisë dhe investimeve kapitale.

“Ky mekanizëm parasheh që një pjesë e kostove të rritura të furnizimit të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, me qëllim zbutjen e ndikimit në tarifa për një vit të vetëm. Ky trajtim nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por një shpërndarje të tyre në kohë, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe përballueshmërinë për konsumatorët. Pra, ZRRE propozon që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal”, tha ZRRE-ja.

Vendimi për tarifa të reja të energjisë pritej të merrej më 1 prill, por Zyra e Rregullatorit të Energjisë e shtyu këtë vendim deri më 1 maj.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe përcaktimin vjetor të tarifave të energjisë elektrike, të cilat rëndom shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Tre operatorët energjetikë në Kosovë, në muajin janar të këtij viti kanë kërkuar rritjen e tarifave të rrymës për vitin 2026.

Rritja e çmimit të rrymës u kërkua nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

KESCO kërkoi rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, Për rritjen e kësaj përqindjeje, KESCO është thirrur në sasinë e madhe të importit të energjisë elektrike.

Po ashtu, Korporata Energjetike e Kosovës, (KEK), është thënë në aplikim, ka paraparë vazhdimin e projekteve të rehabilitimit të njësive gjeneruese, kësaj radhe në termocentralin Kosova B, njësia B1, me një kohëzgjatje të planifikuar prej rreth tetë muajsh, krahasuar me pesë muaj më 2025 për njësinë B2.

Kjo situatë sipas KESCO-s pritet që të kufizojë edhe prodhimin vendor dhe të rrisë varësinë nga importi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot do të ketë mot të ndryshueshëm me periudha shiu.…