
Zuckerberg futet me agresivitet në garën për AI: Deri në 100 milionë dollarë në vit për talentët e OpenAI
Meta, kompania prapa Facebook-ut, Instagramit dhe një sërë aplikacionesh tjera, aktualisht ndodhet në mes të një prej fushatave më të jashtëzakonshme të rekrutimit ndonjëherë.
E udhëhequr nga Mark Zuckerberg, i cili po formon personalisht ekipin e tij të ëndrrave për AI, kompania ka “rrëmbyer” drejtuesit e startup-eve premtuese, duke tronditur investitorët dhe punonjësit e tyre, shkruan Wall Street Journal.
Zuckerbergu e lëshoi dorën me oferta masive, në mënyrë që rivalëve të Metës t’ju bëhet më e vështirë të japin kundëroferta efektive.
Ndërkohë, sipas WSJ, disa drejtues t kompanice tjera po ankohen për erozionin e një parimi themelor që dikur ishte gur themeli i Silicon Valley-t: Ji një misionar, jo një mercenar.
Në pranverë, Zuckerberg kontaktoi drejtorin për kërkime në OpenAI, Mark Chen, për një takim miqësor, por përfundoi duke i kërkuar këshilla për mënyrën si mund ta përmirësonte organizatën e tij të inteligjencës artificiale gjenerative.
Duke marrë parasysh sa shumë para po shpenzonte Meta për pajisje dhe fuqi kompjuterike për të trajnuar AI — më shumë se 100 herë më shumë se sa po shpenzonte për njerëzit — Chen sugjeroi që Zuckerberg ndoshta duhet të investonte më shumë në talent, sipas WJS.
Zuckerberg e pyeti Chen nëse do të merrte në konsideratë t’i bashkohej Metës — dhe çfarë do të duhej për ta bindur që të vinte.
Disa qindra milionë dollarë? Një miliard?
Chen u tregua i rezervuar, duke thënë se ishte i kënaqur në OpenAI. Por biseda ndihmoi në mbjelljen e një ideje.
Zuckerberg filloi të hartonte një listë me studiuesit më të mirë të AI në botë. Ai nisi të dërgonte email-e, mesazhe dhe mesazhe në WhatsApp kandidatëve të mundshëm, për të matur interesin e tyre dhe për të ftuar disa që ta takonin në shtëpitë e tij në Lake Tahoe dhe Palo Alto, Kaliforni.
Për ekipin e ri të Inteligjencës Artificiale, të fokusuar te superinteligjenca — apo AI më e zgjuar se njeriu — Zuckerberg ka rekrutuar nga Anthropic, Google DeepMind dhe Apple, dhe ka tërhequr të paktën një duzinë punonjësish nga OpenAI.
Por shumë të tjerë e kanë refuzuar. Sipas personave në dijeni të çështjes, ai u ka ofruar më shumë se 10 studiuesve të OpenAI pako pagese marramendëse prej 300 milionë dollarësh për katër vjet, përfshirë 100 milionë që në vitin e parë. Dhe pas muajsh të tërë rekrutimi, Meta ende nuk ka një shkencëtar kryesor për laboratorin e saj.
“E kam humbur numrin se sa njerëz nga këtu kanë provuar të marrin,” u shkroi Altman stafit të tij në një mesazh në Slack.