
Zvicra fton Xhakën dhe Jasharin për ndeshjen ndaj Kosovës
Federata e Zvicrës ka shpallur listën me 23 lojtarë të ftuar për ndeshjen e parë të kualifikueseve të Botërorit 2026 kundër Kosovës, e cila do të luhet më 5 shtator, në “St. Jakob-Park” të Baselit.
Përballja pritet me interes të madh, jo vetëm për rivalitetin sportiv, por edhe për lidhjet e forta që ekzistojnë mes dy përfaqësueseve.
Në listën e publikuar nga trajneri Murat Yakin, spikasin dy emra të njohur me origjinë shqiptare: Granit Xhaka, kapiteni dhe një nga shtyllat kryesore të helvetikëve, si dhe Ardon Jashari, mesfushori i ri që shihet si pjesë e së ardhmes së skuadrës zvicerane.
Megjithatë, mungojnë dy futbollistë të tjerë që kanë qenë shpesh në qendër të diskutimeve. Uran Bislimi, i cili refuzoi Kosovën për t’u veshur me fanellën e Zvicrës, nuk është përfshirë këtë herë. Po ashtu, mbrojtësi Albian Hajdari, që mbetet ende mes dy zgjedhjeve, Kosovë apo Zvicër, nuk është grumbulluar.
Kjo situatë tregon edhe një herë për përzierjen e historive dhe identiteteve në skuadrën helvetike, ku futbollistët me origjinë shqiptare kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm. Përballja Zvicër–Kosovë pritet të jetë më shumë se një ndeshje futbolli: një sfidë me ngarkesë emocionale të veçantë, ku futbollistë me rrënjë të përbashkëta do të gjenden në dy kampe të ndryshme.