Zvicra konfirmon takimet “diskrete” Kosovë-Serbi në Solothurn: Duam që palët të flasin pa u mbingarkuar nga vëmendja e publikut

06 janar 2026 | 17:52

Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës në një përgjigje për Express ka konfirmuar se përkrahin dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë për të ndërtuar besim dhe mirëkuptim.

Zëdhënësja e MPJ-së zvicerane, Lea Zurcher, ka thënë për Express, se organizojnë bisedime dy apo tri herë në vit në qytetin e Solothurnit, meqë s’duan që palët të jenë të ngarkuara nga vëmendja e publikut. Megjithatë ajo thotë se këto takime s’janë sekrete, por siç i quajnë diskrete. Sidoqoftë për udhëtimet atje dhe pjesëmarrjen s’ka njoftime zyrtare nga pjesëmarrësit.

“Zvicra mbështet dialogun midis Serbisë dhe Kosovës si pjesë e angazhimit të saj për ndërtimin e besimit dhe mirëkuptimit. Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (FDFA) organizon bisedimet e Solothurnit dy deri në tre herë në vit. Ndërsa zhvillohen në mënyrë diskrete, këto takime nuk janë sekrete”, ka thënë ajo për Express.

Ajo ka thënë së Divizioni i Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në kuadër të Ministrisë së Jashtme, bashkë me këshillin e OJQ-ve për qeverisje gjithëpërfshirëse kanë organizuar shkëmbime të rregullta që nga viti 2015, e ku përfshihen përfaqësues të partive politike nga Kosova dhe Serbia.

Zurcher ka thënë se MPJ e Zvicrës dëshiron që të ofrojë një hapësirë për dialog për çështje politike, për t’iu lejuar pjesëmarrësve të diskutojnë pa u mbingarkuar nga vëmendja e publikut.

“FDFA e konsideron të rëndësishme të ofrojë një hapësirë për dialog të qëndrueshëm mbi çështjet politike, duke u lejuar pjesëmarrësve të ndërtojnë marrëdhënie dhe besim pa u mbingarkuar nga vëmendja e publikut”, ka potencuar ajo.

Sipas zyrtares zvicerane, një modalitet i tillë i diskutimeve mundëson kontakte të drejtpërdrejta dhe eksplorim të ideve në bazë të të cilave mund të inspirohen proceset zyrtare.

“Një format i tillë diskret mund të ndihmojë në lehtësimin e kontakteve të drejtpërdrejta dhe lejon që të eksplorohen ide që mund të ushqehen në proceset zyrtare. Ky dialog joformal, në përputhje me traditën e gjatë zvicerane të Zyrave të Mira, është plotësues i kuadrit zyrtar të udhëhequr nga BE-ja dhe mbështetet nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Lea Zurcher për Express.

Sot gazeta zvicerane “NZZ” ka raportuar për këto takime të mbajtura në qytetin e Solothurnit në Zvicër. Mes emrave të përmendur në artikull janë edhe zv.kryeministri Besnik Bislimi dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq si pjesëmarrës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bedri Halimi Ka vite që në shumë qytete të trojeve…