Zvicra ofron kupon prej 50-frangash për atë që bind një tjetër të vaksinohet

01 tetor 2021 | 17:29

Zvicra do të ofrojë kupon me vlerë të 50 frangave për personat që i bindin të tjerët për t’u vaksinuar kundër Covid-19, tha të premten qeveria zvicerane, si pjesë e përpjekjeve për ta rritur nivelin e ulët të vaksinimit në vend.

Secili person që vaksinohet tash e tutje do të pyetet të përmend dikë që e ka bindur që ta marrë vaksinën dhe ky i fundit do të shpërblehet me një kupon në vlerën e 50 frangave, shkruan “Reuters”.

“Secili mund të ndihmojë për të bindur një mik, fqinj, koleg pune ose familjar për përfitimet që i sjell vaksinimi. Ky bashkëpunim i popullsisë duhet të shpërblehet”, është thënë në njoftimin e qeverisë.

Ndonëse numri i rasteve me Covid-19 në Zvicër ka rënë, qeveria ka thënë se gjendja në repartet e kujdesit intensiv mbetet e vështirë.

Zvicra është një ndër shtetet me shkallën më të ulët të vaksinimit në Evropën Perëndimore. Vetëm 58 për qind e popullsisë prej 8.7 milionësh është vaksinuar me të dyja dozat.

Qeveria ka ndarë 150 milionë franga për fushatën me kuponë dhe po planifikon një javë kombëtare të vaksinimit me 170 qendra mobile për këtë qëllim. /GE/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës…