Zyra e kryeministrit paditet në Gjykatën Supreme për rregulloren e Ministrisë së Shëndetësisë
Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) ka paraqitur padi në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj Zyrës së Kryeministrit, duke kërkuar shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Shëndetësisë.
Rregullorja në fjalë është publikuar në Gazetën Zyrtare më 3 korrik 2024 dhe ka hyrë në fuqi më 10 korrik 2024. Sipas QIPS-it, nenet 41 deri në 46 të kësaj rregulloreje, që kanë të bëjnë me organizimin e Institutit Special në Shtime, janë në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësinë dhe Ligjin për Shëndetin Mendor.
Sipas organizatës, këto dispozita përcaktojnë organizimin dhe kompetencat e një njësie brenda Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), ndonëse një strukturë e tillë, sipas tyre, nuk është e paraparë në legjislacionin përkatës.
“Nenet 41 deri në 46 të rregullores rregullojnë organizimin dhe kompetencat e Institutit Special në Shtime, megjithëse një strukturë e tillë nuk është e përcaktuar në ligjet përkatëse për shëndetësinë dhe shëndetin mendor”, thuhet në arsyetimin e padisë.
QIPS thekson se rregullorja i jep këtij institucioni kompetenca për rehabilitimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara intelektuale, ndonëse sipas tyre një rol i tillë nuk është i përcaktuar qartë në ligjet në fuqi.
Organizata gjithashtu argumenton se ligji për shëndetin mendor përcakton qartë tre nivelet e shërbimeve shëndetësore – kujdesin parësor, dytësor dhe tretësor – si dhe institucionet që ofrojnë këto shërbime, si departamentet e psikiatrisë në spitalet e përgjithshme, qendrat e shëndetit mendor në bashkësi, shtëpitë integruese dhe institucionet për rehabilitim dhe risocializim në Shtime.
Sipas QIPS-it, Instituti Special në Shtime nuk është i listuar si një nga këto shërbime, prandaj rregullorja e kontestuar, sipas tyre, cenon parimin e ligjshmërisë.
“Një akt nënligjor nuk mund të krijojë struktura apo kompetenca që nuk janë të parapara në ligj”, thuhet më tej në padinë e paraqitur në Gjykatën Supreme.
Padia është ngritur në bazë të Ligjit për Konfliktet Administrative, i cili u mundëson organizatave që mbrojnë interesin publik të kërkojnë nga Gjykata Supreme shfuqizimin e akteve nënligjore që vlerësohen se janë në kundërshtim me ligjin.
Përmes kësaj padie, QIPS ka kërkuar që Gjykata Supreme të shfuqizojë nenet 41, 42, 43, 44, 45 dhe 46 të Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Shëndetësisë.



