Zyra e OKB: Bota po humbet 10 milionë hektarë pyje tropikale çdo vit

19 nëntor 2025 | 08:07

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se 10 milionë hektarë pyje tropikale humbasin çdo vit në mbarë botën. Zyra e OKB-së në Gjenevë ndau një postim në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X. “Bota po humbet 10 milionë hektarë pyje tropikale çdo vit. Çdo hektar i humbur do të thotë më pak biodiversitet, rezistencë më të dobët ndaj klimës dhe rreziqe më të mëdha për shoqëritë”, thuhet në postim. Postimi thekson se Konferenca e 30-të e Palëve në Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP30) është mundësi për të ndaluar shpyllëzimin dhe për të investuar në rimëkëmbjen e natyrës.

Shkencëtarët kanë përcaktuar se 28.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të shpyllëzimit. Hulumtuesit nga Universiteti i Leeds në Britani studiuan efektet e shpyllëzimit në rajonet tropikale mbi shëndetin e njeriut. Hulumtuesit zbuluan se shpyllëzimi në pyjet tropikale të Amazonës, Kongos dhe Azisë Juglindore zvogëlon sasinë e reshjeve, rrit temperaturat e të nxehtit dhe ngushton zonat e hijes.

Gjithashtu hulumtuesit përcaktuan se 345 milionë njerëz janë ekspozuar ndaj nxehtësisë ekstreme midis viteve 2001 dhe 2020 për shkak të shpyllëzimit në pyjet tropikale dhe se si pasojë e kësaj ngrohjeje të shkaktuar nga kjo situatë, 28.000 persona kanë humbur jetën çdo vit nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë. Hulumtuesit vunë re se Azia Juglindore ka shkallën më të lartë të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë, e ndjekur nga rajonet tropikale të Afrikës dhe Amerikës. Rezultatet e studimit u botuan në revistën “Nature Climate Change”.

Ndërkaq, në Japoni, mjekët japin receta për shëtitje në pyll për shëndetin mendor dhe fizik. Kjo quhet “banjo pylli” (në japonisht Shinrin-yoku). Ideja është të kalosh kohë mes pemëve ndihmon për të ulur stresin, presionin e gjakut dhe për të forcuar imunitetin. Studimet tregojnë se qëndrimi në natyrë ul hormonet e stresit dhe përmirëson gjendjen shpirtërore pa pasur nevojë për ushtrime apo ecje të gjatë, thjesht qetësi mes pyllit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Euronews Albania ka siguruar një shkresë zyrtare, drejtuar institucioneve përgjegjëse,…