Zyra Kombëtare e Auditimit thellon bashkëpunimin me Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Hasan Prishtina”

12 shkurt 2021 | 19:11

Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës ˝Hasan Prishtina˝ mbajtën seminar me temën ˝Auditimi dhe sfidat në realitetin e ri në Kosovë˝.

Prezantues në këtë seminar ishin Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, profesorë nga Universiteti i Prishtinës si dhe prezantues të tjerë të abstrakteve për auditimin të përgatitura për këtë seminar. Seminari online  ishte i hapur për studentët dhe publikun.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani në fjalën e tij është shprehur së është i lumtur që do të ketë mundësi të ngritet ritmi i bashkëpunimit në mes të Institucionit Suprem të Auditimit dhe botës akademike, gjegjësisht Fakultetit Ekonomik – si një prej adresave më të rëndësishme të kontabiliteti dhe auditimit në vend.

Osmani prezantoj para pjesëmarrësve rëndësinë e auditimit publik në Kosovë, rolin, misionin dhe mënyrën se si funksionon Zyra Kombëtare e Auditimit. Prezantimin e ka vazhduar duke shpjeguar detaje të tjera rreth procesit të auditimit, që nga planifikimi e deri te publikimi i raporteve.

Osmani poashtu, theksoj rëndësinë e kompetencës profesionale të auditorëve. ˝Për të qenë një auditor publik, është shumë e rëndësishme të keni njohuri të shkëlqyeshme të administratës publike, Standardeve të Kontabilitetit dhe Auditimit, kornizës ligjore dhe praktikave të mira, si dhe njohuri të shkëlqyeshme të shkrimit˝ tha Osmani.

Një Institucion Suprem i Auditimit siç është ZKA-ja, synon t’ju ndihmojë krerëve të institucioneve të audituara të përmirësojnë punën e tyre dhe këtë e bën përmes rekomandimeve konkrete; të shtoj vlerën për para; të forcoj qeverisjen e mirë dhe menaxhimin e shëndoshë financiar si dhe të ofrohen shërbime të mira për qytetarët, theksoj ndër të tjera Osmani.

Raportet e ZKA-së promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore. Mirëpo, sipas Osmanit, sfida kryesore ne auditimin publik, vazhdon të mbetet niveli i ulët  i zbatimit të rekomandimeve, i cili është rreth 40%.

Auditori i Përgjithshëm, tutje ka theksuar rëndësinë e madhe që ka partneriteti i ZKA-së me shoqërinë civile, mediat dhe institucionet akademike. ˝Marrëdhënia e ZKA-së me këta partnerë është e vendosur në tri dimensione: ZKA-ja si organizatë publike i nënshtrohet nevojës për të qenë e hapur me palët e jashtme  lidhur me përdorimin e fondeve dhe pasurisë që i është besuar nga Kuvendi për kryerjen e funksioneve të veta; ZKA si organizatë e vetme dhe e pavarur audituese duhet të bashkëpunojë me palët e interesit, në mënyrë që informacioni i përçuar në publik, të bëhet në mënyrë të saktë, të paanshme dhe profesionale. Është e rëndësisë së vecantë, edhe absorbimi i informatave të vlefshme, për fushat me interes të lartë publik që duhen audituar˝ tha ai.

Në anën tjetër, dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj theksoj rëndësinë e bashkëpunimit në mes të institucioneve, me ç’rast falënderoj Auditorin e Përgjithshëm për bashkëpunimin, duke shpresuar që ky bashkëpunim të avancojë tutje.

Ndërsa, Muhamet Aliu, Profesor në Fakultetin Ekonomik, ka prezantuar në detaje procesin e  auditimit dhe sfidat e aplikimit të tij në Kosovë.

Seminari ka vazhduar punimet me prezantimin e abstrakteve nga pjesëmarrësit, me  temat: Rëndësia e kontrollit të brendshëm në vlerësimin e rreziqeve të brendshme dhe të jashtme; Auditimi në marketing; Etika dhe tarifat e auditimit në Kosovë; Auditimi i përputhshmërisë si formë e nevojshme në aktivitetet e auditimit në Kosovë dhe Efekti i karakteristikave individuale të auditorit në cilësinë e auditimit.

Në fund të seminarit pjesëmarrësit dhe prezantuesit patën mundësi të bashkëbisedojnë dhe shkëmbejnë përvojat e tyre në auditim. Të gjithë pjesëmarrësit me abstrakte në seminar, do të pajisen me certifikata.

ZKA-ja dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë marrëveshje të bashkëpunimit që nga viti 2017. Kjo marrëveshje, ka për qëllim bashkëpunimin ndër institucional, shkëmbimet e ndihmës profesionale e akademike, si dhe të angazhimit të studentëve në punë praktike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk janë të jashtëzakonshme vetëm për…