
Zyren e Presidentes Osmani e kaplon era e kanalizimit
Presidenca e Kosovës ka reaguar pas raportimeve rreth ndërtimit të një objekti të ri presidencial, duke theksuar se presidentja Vjosa Osmani asnjëherë nuk ka kërkuar ndonjë rezidencë me luks, oborre apo dhoma private për vete, por vetëm një objekt zyrtar që i përmbush nevojat institucionale të shtetit.
Sipas reagimit, Kosova është ndër të vetmet vende në Evropë e ndoshta në botë që nuk ka një ndërtesë të dedikuar për Kreun e Shtetit.
Tutje thuhet se, liderët e huaj gjatë vizitave përballen me erë kanalizimi në zyrën e Presidentes, shkruan Periskopi.
“Aktualisht, pritjet mbahen në salla të Kuvendit, ndërsa liderët e shteteve mike detyrohen të përballen me erën e kanalizimeve për shkak të kushteve të papërshtatshme në katin ku ndodhet zyra aktuale. Nuk ka as hapësirë për organizimin e pritjeve shtetërore (ato zhvillohen në hotele), as hapësira për akomodimin e mysafirëve të lartë, dhe as ambient për darka apo dreka zyrtare të nivelit të lartë, të cilat Kosova i organizon në restorante private — një praktikë krejtësisht e pazakontë për çdo shtet serioz“.
Presidenca thekson se çdo pretendim se po ndërtohet ndonjë rezidencë personale për Presidenten Osmani është i pabazë dhe absurd, pasi ndërtimi i një objekti të tillë do të zgjasë të paktën 5–6 vite — kohë që përjashton çdo mundësi që ajo ta përdorë gjatë mandatit të saj aktual.
Në këtë drejtim, Presidentja ka kërkuar që plani ideor i prezantuar të rishqyrtohet urgjentisht, në mënyrë që të përputhet me kërkesat reale të institucionit të Presidencës dhe funksionimit dinjitoz të shtetit të Kosovës.
Gjithashtu, ajo ka kërkuar përfshirjen e një suite pritjeje për liderët dhe homologët ndërkombëtarë, si një standard i zakonshëm në çdo presidencë të vendeve demokratike.
Presidenca thotë se ndërtimi i një objekti të tillë nuk është luks, por një domosdoshmëri shtetërore për të garantuar kushte pune, siguri dhe përfaqësim të denjë për institucionin më të lartë të shtetit.
“Në fund, Presidentja ka kërkuar urgjentisht të gjenden mundësitë ligjore për të ndryshuar specifikacionet aktuale, të cilat nuk paraqesin aspak idenë e saj për një objekt zyrtar presidencial (e assesi ndonjë rezidencë private). Ndërtimi i një objekti të tillë për Presidencën (e jo për Presidenten Osmani) nuk është luks, por domosdoshmëri shtetërore, për të garantuar kushte dinjitoze pune, siguri dhe përfaqësim të denjë për shtetin e Kosovës”, thuhet në reagim.