
Zyrtare: Enis Vila transferohet te SF Baumberg në Oberliga-n gjermane
Qendërmbrojtësi shtatlartë shqiptar, Enis Vila, është zyrtarisht pjesë e klubit SF Baumberg e.V, që garon në Oberliga, një nga ligat konkurruese të futbollit gjerman.
Pas një periudhe të suksesshme me FC Kosova Düsseldorf, ku ishte një prej shtyllave kryesore të mbrojtjes dhe kontribuoi ndjeshëm në paraqitjet e ekipit në Landesliga, Vila ka qenë në qendër të vëmendjes së disa klubeve gjermane. Emri i tij është lidhur ngushtë me ekipe si RSV 04/19, Merrbusch, dhe vetë SF Baumberg, por në fund ai ka zgjedhur të vazhdojë karrierën me këtë të fundit.
Vendimi i tij është ndikuar nga projekti ambicioz i klubit SF Baumberg, që synon ngritjen në një kategori më të lartë në futbollin gjerman. Vila ka nënshkruar kontratë me klubin dhe tashmë është gati të japë maksimumin edhe në këtë kapitull të ri të karrierës së tij.
Në një deklaratë pas transferimit, Vila ka shprehur mirënjohjen e tij për klubin e mëparshëm:
“Falënderoj FC Kosova Düsseldorf, presidentin dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë kohës që isha pjesë e këtij klubi. Jam mirënjohës për vlerësimin, angazhimin dhe respektin që më është treguar.”
Transferimi i Enis Vilës përfaqëson një hap përpara për mbrojtësin shqiptar, që tashmë synon të lërë gjurmë edhe në Oberliga, duke kontribuar në objektivat e reja të SF Baumberg.