Zyrtare: Hojlund bëhet përfundimisht lojtar i Napolit
Rasmus Hojlund është zyrtarisht dhe përfundimisht futbollist i Napolit.
Nënkampioni i Italisë ka kompletuar blerjen e sulmuesit danez pas përfundimit të marrëveshjes së huazimit që kishte me Manchester United.
Napoli kishte paguar 6 milionë euro për huazimin njëvjeçar të Hojlundit, ndërsa në kontratë ishte përfshirë edhe klauzola e detyrueshme e blerjes për 40 milionë euro.
Presidenti Aurelio De Laurentiis ka ekzekutuar pagesën e parashikuar dhe nga sot sulmuesi danez është 100 për qind në pronësi të klubit napolitan.
Nga ana tjetër, Manchester United ka përdorur menjëherë fondet e arkëtuara nga kjo marrëveshje për të siguruar një tjetër transferim të rëndësishëm, transmeton Klankosova.tv.
“Djajtë e Kuq” kanë paguar shumën e nevojshme te Atalanta për mesfushorin brazilian Ederson, i cili pritet të jetë një nga përforcimet kryesore të skuadrës për sezonin e ri.
Kështu, një marrëveshje ka sjellë lëvizje të rëndësishme në dy fronte, me Napolin që siguron përfundimisht Hojlundin dhe Manchester United që avancon në operacionin për afrimin e Edersonit.



