
Zyrtarë policorë nga Drejtoria e Policimit në Bashkësi, vazhdojnë të realizojnë takime me komunitetin
Zyrtarë policorë nga Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Parandalim, mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, kanë realizuar sesionin e pestë sensibilizues/ vetëdijësues me temë: “Edukimi i nënave mbi shenjat e hershme të ekstremizmit dhe radikalizmit në familje”.
Takimet u mbajtën me gratë e fshatit Krajk dhe me anëtarët e Këshillit Lokal për Siguri Publike (KLSP) Velezhë, komuna e Prizrenit, në kuadër të një iniciative për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në familje dhe komunitet. Sesioni u mbajt në ShFMU “Mid’hat Frashëri”.
Qëllimi i sesionit ishte të rrisë ndërgjegjësimin e grave për faktorët dhe shenjat e hershme të ekstremizmit dhe të fuqizojë rolin e tyre në mbrojtjen e sigurisë dhe stabilitetit në familjet e tyre dhe rrethin ku jetojnë.
Gjatë sesionit u diskutuan praktika dhe masa për identifikimin dhe parandalimin e ndikimeve radikale, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit dhe institucioneve të sigurisë për një mjedis më të sigurt.
Policia e Kosovës falënderon të gjitha gratë pjesëmarrëse dhe anëtarët e KLSP-së për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre, duke theksuar se roli i tyre është thelbësor në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe paqësore.