Zyrtare: Samedin Mehmeti emërohet drejtor i Policisë së Kosovës

13 janar 2021 | 14:47

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar propozimin e kryeministrit Avdullah Hoti për emërimin e Samedin Mehmetit në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një komunikate për medie ka njoftuar se ky vendim do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, raporton “Epoka e re”.

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës, ka mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike. Në mbledhjen e 57 me radhë, Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe vendimin për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, në projektin për sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë Informative të Policisë së Kosovës. Qeveria në detyrë, i ka propozuar kryeministrit Hoti emërimin e z. Samedin Mehmeti, drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Po ashtu, në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për prokurimin publik të Republikës së Kosovës, të projektit për sigurinë e rrjetit të brendshëm të teknologjisë së informacionit të Policisë së Kosovës.

“Bëhet fjalë për mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe sigurinë e rrjetit të brendshëm të teknologjisë së informacionit të Policisë së Kosovës, që vlerësohet të jetë i ndjeshëm dhe konfidencial”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në zgjedhjet e 14 shkurtit…